UBT News

Sadiku gati për betejën e fundit në Taranto

Donjeta Sadiku sot pritet të zhvillojë njërin prej dueleve më emocionuese të karrierës së saj. Boksierja kosovare do të boksojë në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Meçi është paraparë të nisë në orën 17:15.

Përballë Sadikut në ringun e Tarantos do të jetë Kristina Kuluhova, boksiere me origjinë ruse që përfaqëson Serbinë. Përballja me një përfaqësuese të Serbisë pritet t’i japë edhe më shumë motivim boksieres kosovare, e cila synon medaljen e artë.

Sadiku deri më tani ka regjistruar dy fitore në Taranto dhe ka siguruar vendin në finalen e madhe.

Megjithatë, për boksieren kosovare kjo nuk është një sfidë e zakonshme. Gjatë karrierës së saj, Sadiku ka arritur suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke dëshmuar se ka përvojën dhe qetësinë e nevojshme për të menaxhuar presionin dhe emocionet e një dueli të tillë.

Tani, mbetet edhe një hap i fundit drejt medaljes së artë. Donjeta Sadiku do të kërkojë ta mbyllë me fitore rrugëtimin e saj në Taranto dhe ta ngjisë flamurin e Kosovës në podiumin më të lartë.

D.L

Exit mobile version