Javë pasi speciali i tij “The Closer” u kritikua për shakatë e tij që targetonin njerëzit transgjinorë, Dave Chappelle i është drejtuar polemikave, transmeton UBT News.
Ai do të takohet me “komunitetin transgjinor” që kundërshton batutat e tij, megjithëse sipas tij ai “nuk po përkulet ndaj kërkesave të askujt”.
Chappelle ndau një pjesë të setit të tij në të cilin ai pyeti audiencën nëse ai ishte “anuluar apo jo?”
“Është thënë në shtyp se më ftuan të flisja me punonjësit transgjinorë në Netflix dhe unë refuzova”, tha Chappelle në fillim të klipit pesëminutësh. “Kjo nuk është e vërtetë. Nëse do të më kishin ftuar do të kisha pranuar, megjithëse jam i hutuar për atë që po flasim”.
Sipas tij edhe pse media e ka portretizuar atë si kundër komunitetit në fjalë, ai tha se këto nuk qëndrojnë.
“Unë kam nevojë që ju ta dini këtë – të gjithë ata që njoh nga ai komunitet nuk kanë qenë gjë tjetër veçse të dashur dhe përkrahës. Kështu që unë nuk e di se për çfarë po bëhet e gjithë kjo marrëzi”.
“Për komunitetin transgjinor, unë jam më se i gatshëm t’ju jap një audiencë”, tha Chappelle. “Unë nuk jam duke u përkulur ndaj kërkesave të askujt”, shtoi ai mes të tjerash.
Chappelle njoftoi se dokumentari mbi shfaqjet e tij humoristike do të shfaqet në kinematë në 10 qytete në ShBA dhe Kanada gjatë gjithë nëntorit, së bashku me shfaqje live nga ai dhe të ftuar të tjerë./UBTNews/