Kombëtarja e Kosovës i ka nisur përgatitjet për tri ndeshjet e këtij muaji. Dardanët, të hënën në mbrëmje, kanë kryer stërvitjen e parë në kompleksin “Tropikal” në Durrës.
Në këtë stërvitje përzgjedhësi Bernard Challandes kishte në dispozicion futbollistët që nuk ishin të angazhuar në ndeshjet e zhvilluara të dielën me klubet e tyre, derisa pjesa tjetër e futbollistëve ka kryer rigjenerim në hotel.
Atmosfera në Kombëtare në prag të tri ndeshjeve të fundit për këtë vit është shumë e mirë dhe tek të gjithë ekziston dëshira e madhe që ky cikël të mbyllet me rezultate pozitive.
Kombëtarja dardane më 11 nëntor do të luajë miqësoren ndaj Shqipërisë në “Elbasan Arena”, ndërsa më 15 nëntor do të jetë mysafire e Sllovenisë në Lubjanë dhe më pas më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” do të presë Moldavinë, për ta përmbyllur edicionin e sivjetmë të Ligës C në Ligën e Kombeve./UBTNews