UBT News

Dardanët vazhdojnë me intensitet përgatitjet për miqësoret e qershorit

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar të enjten përgatitjet intensive për ndeshjet miqësore të muajit qershor ndaj Çekisë dhe Andorrës.

Në stërvitjen e dytë nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët kanë treguar ritëm të lartë, përkushtim dhe energji në ushtrime, ndërsa fokusi kryesor ka qenë puna taktike, organizimi i lojës dhe koordinimi mes repartesh.

Stafi teknik ka punuar veçanërisht në lëvizjet pa top, tranzicionin sulmues dhe pozicionimin mbrojtës, me synimin për të krijuar një skuadër sa më kompakte dhe konkurruese për sfidat e ardhshme.

Atmosfera në kampin “Dardan” është karakterizuar nga serioziteti dhe konkurrenca mes lojtarëve për të fituar besimin e trajnerit para publikimit të formacionit për ndeshjet miqësore.

Megjithatë, jo gjithçka ka kaluar pa probleme për Kosovën. Mbrojtësi Andi Hoti është detyruar ta ndërpresë stërvitjen para kohe për shkak të një shqetësimi në nyje.

Futbollisti pritet t’u nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara nga stafi mjekësor i Kombëtares, për të përcaktuar shkallën e lëndimit dhe gatishmërinë e tij për ndeshjet ndaj Çekisë dhe Andorrës.

Këto dy përballje konsiderohen teste të rëndësishme për Kosovën në ndërtimin e skuadrës dhe identitetit të lojës nën drejtimin e Franco Fodës, para sfidave zyrtare të muajve të ardhshëm.

Exit mobile version