Kombëtarja e Kosovës udhëton sot drejt Lubjanës për sfidën vendimtare të së shtunës kundër Sllovenisë, ndërsa përgatitjet për këtë duel të rëndësishëm të kualifikimeve për Botërorin 2026 po zhvillohen me intensitet maksimal.
Në seancat e deritanishme stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda ka vazhduar të theksojë punën taktike, me fokus të veçantë te tranzicionet dhe organizimi mes reparteve.
Gjithë grupi i futbollistëve është në gjendje të shkëlqyer fizike, duke i dhënë trajnerit një komfort të plotë para ndeshjes që mund të përcaktojë fatin e Dardanëve në këto kualifikime.
Pas stërvitjes, optimizmi u reflektua edhe nga mbrojtësit Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni, kur të dy vlerësuan cilësinë e Sllovenisë, por njëzëri theksuan se në Lubjanë do të hyjnë vetëm për fitore.
“Grupi është duke punuar shumë mirë dhe jemi gati për lojë. E dimë rëndësinë e ndeshjes dhe po e presim me padurim. Është një finale për ne. Një pikë nuk është e keqe, por ne hyjmë për të fituar dhe do të shkojmë për tri pikë”, tha Vojvoda.
Kosova do të mbajë një seancë të fundit të lehtë stërvitore paradite, para nisjes për në kryeqytetin slloven, ku të shtunën do të kërkojë fitoren që do ta afronte me ëndrrën e Botërorit./S.K/KP/FFK/
