Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje kundër Sllovenisë me rezultat 2:1, në ndeshjen që u zhvillua të dielën në mbrëmje në stadiumin “Stozice” në Lubjanë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Dardanët kaluan të parët në epërsi me golin e Vedat Muriqit në minutën e 58-të, pas asistimit të Bernard Berishës.
Megjithatë, vetëm pesë minuta më vonë sllovenët barazuan me golin e Jasmin Kurtiq. Ndërkohë, minutat shtesë ishin të pafat për Dardanët, kur gjyqtari tregoi në pikën e bardhë me pretekst të prekjes së topit me dorë nga ana e Fidan Alitit. I saktë nga penalltia ishte Josip Iliçiq, duke ia sjellë fitoren Sllovenisë.
Ndeshjen e radhës dhe të fundit për këtë edicion të Ligës së Kombeve, Kosova e zhvillon të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Moldavisë.