Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin nëntor, ku do të jetë mysafire e Armenisë dhe vendase e Ishujve Faroe.
Fillimisht Kosova zhvillon miqësoren me Armeninë më 19 nëntor, kurse tri ditë më vonë luan në “Fadil Vokrri” kundër Ishujve Faroe.
Ndërkaq para këtyre dy ndeshjeve miqësore ka reaguar edhe tifo-grupi Dardanët, të cilët kërkuan nga futbollistët që të respektohen këto dy përballje.
“Jemi duke u bërë gati për dy miqësoret që na presin në këtë muaj kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe. Presim që të respektohen këto ndeshje nga lojtarët, për t’na dhuruar paraqitje të kënaqshme e jo sa për sy e faqe vetëm pse ato janë miqësore”, shkruante në njoftimin e Dardanëve në Facebook.
Po ashtu, Dardanët njoftuan edhe për biletat, ku thanë se biletat të cilat kanë dalë në shitje për ndeshjen ndaj Armenisë i takojnë sektorëve të tjerë të stadiumit dhe jo atij që mbushet nga Dardanët.
“Ju bëjmë me dije se biletat e dalura në shitje për ndeshjen kundër Armenisë u takojnë sektorëve tjerë të stadiumit, e jo atij që mbushet nga ne. Si gjithmonë, biletat që na takojnë neve si tifogrup i shpërndajmë vet për anëtarët tanë. Në koordinim me përgjegjësit nëpër qendrat e qyteteve të mëdha do të bëhet edhe kjo shpërndarje biletash. Për hollësitë do t’i njoftojmë anëtarët tanë shumë shpejt”, shkruante në postimin e Dardanëve.