Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll për femra e ka përmbyllur pjesëmarrjen historike në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” me humbje ndaj Turqisë.
Turqia triumfoi 3:0 ndaj Kosovës, me sete 25:17, 25:17 dhe 25:18, duke i dhënë fund rrugëtimit të vajzave kosovare në këtë garë.
Megjithatë, rezultati i ndeshjes së fundit nuk e zbeh aspak paraqitjen e Kosovës në debutimin historik në Lojërat Mesdhetare. Përmes një postimi, Federata e Volejbollit të Kosovës ka vlerësuar lart paraqitjen e përfaqësueses, duke theksuar dy fitoret historike ndaj Algjerisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Dardanet e mbyllin kampanjën faqebardhë dhe me kokën lart!”, thuhet në reagimin e Federatës.
Në Taranto, volejbollistet kosovare treguan karakter, luftë dhe dinjitet, duke regjistruar dy fitore në paraqitjen e tyre të parë në këtë nivel të garave.
Federata ka falënderuar lojtaret për paraqitjen e tyre, ndërsa mirënjohje të veçantë ka shprehur edhe për shtabin teknik të udhëhequr nga përzgjedhësi Lorik Ilazi, ndihmësit Vlora Berisha dhe Ylli Kadriu, team liderin Agron Istogu, si dhe të gjithë personat që kontribuuan në këtë kampanjë.
Falënderime janë adresuar edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës për mbështetjen dhe mundësinë që volejbolli kosovar të paraqitej për herë të parë në histori në Lojërat Mesdhetare.
“Volejbolli e arsyetoi prezencën e parë ndonjëherë në Lojërat Mesdhetare me dy fitore dhe një përfaqësim dinjitoz”, thuhet më tej në reagimin e Federatës.
Kosova kështu e mbyll aventurën në Taranto me dy fitore dhe me një paraqitje që lë shpresë për të ardhmen e volejbollit të femrave në vend.
D.L
