Tifozët “Dardanët” e kanë një porosi për futbollistët që kanë dyshime nëse duan ta zgjedhin apo jo Kosovën.
Sipas tifozëve të ekipit kombëtar të Kosovës, një futbollist duhet të jetë i përcaktuar nëse do t’i përfaqësojë Verdhekaltrit, e jo t’i zgjedhë ata prej zorit, pasi nuk mund të gjejnë vend apo të ftohen nga ekipet kombëtare të vendeve ku janë lindur e rritur.
“Në vazhdën e disa përpjekjeve që disa persona po e bëjnë për ta deformuar realitetin që njihet publikisht, ne si tifozëri ‘Dardanët’ reagojmë kundër orvatjeve të tilla. Askujt nuk ia imponojmë ta zgjedhë Kosovën, por i ftojmë që të mos keqpërdorin me emrin e kombëtares për kalkulime të tyre të ngushta. Me respekt, ‘Dardanët’”, ka shkruar tifo-grupi zyrtar i Kombëtares së Kosovës në rrjetet sociale.
Viteve të fundit, Kosova është duke i pritur disa yje, por ata s’kanë vendosur ende pasi janë në pritje të Kombëtareve tjera, ndërkohë që Kosovën e kanë lënë pezull dhe po ashtu në pritje.