UBT News

Dardanët gjenialë në fushë, Kosova triumfon ndaj Qipros!

Kosova ka arritur një fitore të rëndësishme në Ligën e Kombeve, duke mposhtur Qipron me rezultatin 3-0 në një ndeshje të dominuar plotësisht nga “Dardanët”. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për përfaqësuesen e trajnerit Franko Foda, e cila tani ngjitet në kuotën e 9 pikëve pas 4 ndeshjeve.

Goli i parë erdhi në minutën e 30-të nga kapiteni Amir Rrahmani, i cili me një lëvizje të shpejtë braktisi mbrojtjen dhe shënoi një gol të bukur “alla Kvaraskhelia”. Pjesa e parë përfundoi me epërsinë 1-0 për Kosovën.

Në pjesën e dytë, “Dardanët” treguan forcën e tyre duke shënuar dy gola të tjerë. Të parin e shënoi Lirim Kastrati në minutën 52, ndërsa Emir Sahiti, i cili aktivizohet me Hamburgun në Gjermani, shënoi golin e tij të parë me fanellën e Kosovës në minutën 71, pas një zëvendësimi në minutën e 67-të.

Ndërkohë, në minutën e 88-të, Qipro arriti të shënonte një gol të nderit me Sotiriu, por goli u anulua për faull në sulm, duke e mbajtur rezultatin përfundimtar 3-0 për Kosovën.

Pas kësaj ndeshjeje, Kosova do të përballet me Rumaninë në transfertë më 15 nëntor, në një duel që pritet të jetë një sfidë e fortë për “Dardanët”./UBTNews/

 

 

Exit mobile version