Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka arritur një sukses historik, duke siguruar kualifikimin në “play-off”-in e Kupës së Botës 2027 dhe avancimin në Ligën B të UEFA-s.
“Dardanet” e përmbyllën në mënyrë të shkëlqyer fushatën në Grupin 2 të Ligës C, pasi mposhtën Gjibraltarin në transfertë me rezultat të thellë 8:0. Falë kësaj fitoreje bindëse, Kosova e mbylli grupin në vendin e parë, me pikë të barabarta me Kroacinë, por me goldallim më të mirë.
Ky rezultat i siguroi Kosovës ngjitjen në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues, si dhe një vend në “play-off”-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Arritja konsiderohet historike për futbollin e femrave në vend, pasi vjen si rezultat i punës, përkushtimit dhe paraqitjeve të shkëlqyera të ekipit gjatë gjithë ciklit kualifikues. Futbollistet kosovare dëshmuan karakter, disiplinë dhe shpirt gare, duke besuar deri në fund te objektivi i tyre.
Ky sukses përbën një tjetër dëshmi të progresit të vazhdueshëm të futbollit të femrave në Kosovë dhe një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së mëtejme në arenën ndërkombëtare.
Merita të mëdha për këtë arritje kanë futbollistet dhe stafi teknik, i udhëhequr nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, të cilët arritën ta udhëheqin ekipin drejt një kapitulli të ri në historinë e futbollit kosovar.
Kosova tani do të synojë të vazhdojë rrugëtimin e saj të suksesshëm në fazën “play-off”, me ëndrrën për të siguruar një vend në Kupën e Botës 2027.
D.L
