Një juri në Los Anxhelos e ka shpallur fajtor aktorin amerikan Danny Masterson për dy nga tre akuzat e përdhunimit.
Ylli i serialit “That ’70 Show”, rrezikon deri në 30 vjet burg. Ai u nxor nga gjykata në pranga.
Tre gra, të gjitha ish-anëtare të Kishës së Scientologjisë, e akuzuan aktorin për sulm seksual në shtëpinë e tij në Hollywood nga 2001-2003.
Prokurorët argumentuan se Masterson ishte mbështetur në statusin e tij si një Scientologist i shquar për të shmangur përgjegjësinë.
Juria e përbërë nga shtatë gra dhe pesë burra nuk ishte në gjendje të merrte një vendim për një akuzë të tretë pas një jave diskutimesh, duke përfunduar në bllokim në 8-4.
Masterson u akuzua për herë të parë për përdhunim në vitin 2017 gjatë kulmit të lëvizjes #MeToo. Ai u përgjigj duke thënë se nuk ishte akuzuar apo dënuar për një krim dhe se në klimën e asaj kohe “duket sikur prezumohesh fajtor në momentin që akuzohesh”.
Akuzat erdhën pas një hetimi tre-vjeçar nga Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit./UBTNews/