Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit kundër koronavirusit (COVID-19) në fillimit të vitit 2021, janë vërejtur dallime të mëdha në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në aspektin e vaksinimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në disa prej vendeve të BE-së, përqindja e të vaksinuarve tek të rriturit arrin deri në 80 për qind, ndërsa tek disa vende mbetet nën 30 për qind.
Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në vendet e BE-së me një popullsi prej 450 milionë banorësh që ndaj fillimi i vitit është administruar të paktën një dozë tek rreth 225 milionë njerëz. Numri i të “vaksinuarve plotësisht” ka tejkaluar shifrën 147 milionë.
Kështu, 61,5 për qind të popullsisë së rritur në BE ka pranuar të paktën një dozë, ndërsa i atyre të vaksinuar plotësisht ka arritur në 40,2 për qind.
Me shifrat e lartpërmendura është shënuar afrim në synimin “administrimi i të paktën një doze tek 70 për qind e popullsisë së rritur në korrik”, që Komisioni Evropian vendosi por nuk u realizua plotësisht.
– Vaksinimi më i lartë në Belgjikë, më i ulët në Bullgari
Nëse i shikojmë veç e veç vendet, mund të vërehet dallim i madh në përqindjet e vaksinimeve. Për shembull, përqindja më e lartë është në Belgjikë me 78 për qind të popullsisë së rritur me të paktën një dozë të administruar, kurse në Bullgari kjo shifër ka mbetur në 17 për qind.
Belgjikën e ndjekin Holanda me 73,3 për qind, Finlanda me 73 për qind, Malta me 72 për qind dhe Danimarka me 70,5 për qind.
Më së pakti vaksina të administruara pas Bullgarisë janë regjistruar në Rumuni me 30 për qind, Letoni 39, Kroaci 43,7, Sllovaki 44,3 dhe Slloveni 46,7 për qind.
Deri më sot në vendet e BE-së janë shpërndarë mbi 430 milionë doza vaksine. Prej tyre, 364 milionë doza janë aplikuar.
BE-ja deri më tani ka aprovuar vaksinat e kompanive BioNTech-Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson and Johnson.
Vaksinat Johnson and Johnson administrohen vetëm me një dozë, kurse vaksinat e tjera administrohen nga dy doza.