Mirlind Daku ishte shumë pranë ndryshimit të skuadrës gjatë merkatës së verës, por përfundimisht ky transferim dështoi. Megjithatë, me formën e tij të shkëlqyer, pritet që ai të lëvizë në merkatën dimërore.
Drejtori sportiv i Rubin Kazanit, Konstantin Dzyuba, ka folur për mediat ruse në lidhje me situatën e sulmuesit shqiptar. Skuadra italiane Cagliari ishte një nga ekipet që shfaqte interes, por kishte dhe oferta nga klube të tjera ruse. Megjithatë, Rubin Kazan refuzoi këto oferta për shkak të nivelit të ulët financiar.
“Për Dakun ka pasur interes si para Evropianit ashtu edhe pas tij. Ka pasur oferta zyrtare dhe i kemi negociuar. Pas Evropianit, interesimi për të është rritur ndjeshëm. Megjithatë, aspekti financiar nuk na përshtatej, kështu që negociatat nuk kishin kuptim”, tha Dzyuba.
Dzyuba gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë e shitjes së Dakut gjatë vitit të ardhshëm. “Ne jemi në bisedime të vazhdueshme me Mirlindin. Ai ka ambicie për t’u rritur dhe vlerat e duhura. Aktualisht, ai është i kënaqur me gjithçka në Rubin. Kur të vijë koha për të bërë një ndryshim, do ta diskutojmë së bashku dhe do të marrim një vendim të përbashkët”, shtoi ai.
Daku ka shënuar gjashtë gola dhe ka kontribuar me tre asistime në 12 ndeshje për Rubin Kazan gjatë këtij sezoni, duke theksuar rëndësinë e tij për skuadrën./UBTNews/