Në dy vitet e fundit, Saudi Pro League ka arritur të bëhet liga e gjashtë në botë për sa i përket shpenzimeve për transferime, duke u renditur pas Premier League-s, Serisë A, Ligue 1, Bundesligës dhe Ligës Spanjolle. Ky zhvillim i rëndësishëm tregon për angazhimin e Arabisë Saudite për të tërhequr talente të mëdha nga Evropa dhe për të rritur nivelin e futbollit në vend.
Transferimi i “yjeve” në këtë kampionat ka qenë një tendencë konstante, me paga që përputhen me nivelin e lartë të lojtarëve që kanë lënë Evropën për të luajtur në Saudinë. Raporti financiar sportiv mbi tregun e transferimeve në Arabinë Saudite, i publikuar nga Al Sharq News, bazuar në të dhënat nga Bloomberg dhe Forbes, zbardh disa shifra të habitshme për pagat e futbollistëve.
Cristiano Ronaldo, që luan për Al Nassr, është lojtari më i paguar në këtë ligë, duke marrë një shumë totale prej 263 milionë eurosh (285 milionë dollarë), e cila përfshin më shumë se 200 milionë euro pagë plus 60 milionë euro të ardhura nga reklamat. Kjo është shumë më e lartë se paga e dy “yjeve” të tjerë të ligës saudite, Neymar dhe Karim Benzema.
Neymar, që luan për Al Hilal, fiton pak më shumë se 100 milionë euro, me 74 milionë euro pagë dhe 28 milionë euro të ardhura nga reklamat. Ndërsa Benzema, i cili ka nënshkruar me Al Ittihad, nuk arrin 100 milionë euro nga paga, duke u ndalur në pak më shumë se 96 milionë euro dhe duke shtuar vetëm 4 milionë euro nga reklamat.
Sadio Mané, ish-lojtari i Liverpoolit dhe Bayernit, gjithashtu kontribuon në këtë listë, duke arritur në 48 milionë euro si anëtar i Al Nassr.
Këto shifra ilustrojnë jo vetëm tërheqjen e futbollistëve të klasit botëror nga Arabia Saudite, por gjithashtu pasionin e vendit për të zhvilluar futbollin dhe për të krijuar një ligë konkurruese dhe të njohur në arenën ndërkombëtare./UBTNews/