Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, është bërë futbollisti i parë në histori që kap shifrën e një miliard eurosh, sipas të dhënave të portalit të biznesit dhe marketingut, Bloomberg.
40-vjeçari arriti këtë rekord pas zgjatjes së kontratës me klubin Al Nassr në Arabinë Saudite, me vlerë pak më pak se 360 milionë euro.
Bloomberg vlerëson pasurinë e tij totale në pak mbi 1.2 miliardë euro, duke e bërë atë futbollistin e vetëm që thyen këtë rekord sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Ronaldo ka fituar mbi 470 milionë euro në paga midis viteve 2002 dhe 2023, ndërsa marrëveshjet e tij me markat si Nike, Armani dhe Castrol kanë shtuar mbi 150 milionë euro të tjera në pasurinë e tij.
Transferimi te Al Nassr më 2023 i solli rreth 172 milionë euro në pagë vjetore pa taksa, plus bonus nënshkrimi prej pak më shumë se 25 milionë eurosh. Gjatë karrierës, Ronaldo dhe rivali i përhershëm, Lionel Messi, kanë pasur paga të ngjashme, por situata ndryshoi më 2023.
Ronaldo u transferua në Arabinë Saudite, ndërsa Messi iu bashkua Inter Miami në MLS. Megjithatë, Messi do të përfitojë nga aksionet e klubit amerikan pas pensionimit, gjë që mund ta vendosë atë përsëri në një nivel të ngjashëm me Ronaldon. Sipas Bloomberg, Messi ka fituar mbi 515 milionë euro në paga gjatë karrierës, përfshirë 17.2 milionë euro në vit nga 2023.
Ronaldo ka përfituar nga inflacioni i pagave të futbollistëve, duke fituar rreth 480 milionë euro nga kontratat e klubeve midis viteve 2002-2023, pothuajse dyfishin e kësaj shume vetëm në pak vite në Arabinë Saudite. Ai është gjithashtu lider në ndjekësit e mediave sociale midis atletëve, me 660 milionë ndjekës aktualisht. /A.Z/UBT News/