UBT News

Cristian Volpato dyshohet për përdorim të kokainës pas testit policor në Sydney

Futbollisti i kombëtares së Australisë, Cristian Volpato, dyshohet se ka rezultuar pozitiv në testin për përdorim të kokainës, pasi u ndalua nga policia për tejkalim të shpejtësisë në Sydney.

Mesfushori 22-vjeçar, i cili ka qenë pjesë e Australisë në Kupën e Botës, u ndalua nga policia teksa drejtonte një veturë të tipit “BMW Coupe”. Sipas raportimeve, në një zonë ku shpejtësia e lejuar ishte 60 kilometra në orë, Volpato dyshohet se po voziste me shpejtësi nga 86 deri në 94 kilometra në orë.

Testi për alkool, të cilit iu nënshtrua në vendngjarje, rezultoi negativ.

Megjithatë, sipas raportimeve të BBC, futbollisti dyshohet se doli pozitiv për kokainë gjatë një kontrolli të dytë, pasi u ndalua përsëri në të njëjtën natë. Në këtë rast, ai po drejtonte automjetin me shpejtësi prej 109 kilometrash në orë në të njëjtën zonë.

Si pasojë e incidentit, patentë-shoferi i Volpatos është pezulluar për gjashtë muaj, ndërsa atij i është marrë edhe një mostër për një test të dytë konfirmues.

Volpato ka qenë pjesë e përfaqësueses së Australisë në Kupën e Botës, ku është paraqitur në tri nga katër ndeshjet e ekipit të tij.

D.L

Exit mobile version