UBT News

“Crazy North” kundërshton transferimin e Mirlind Dakut te Spartak Moska

Grupi i tifozëve të Spartak Moskës, “Crazy North”, ka dalë publikisht kundër transferimit të sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë, Mirlind Daku.

Daku i ka dhënë fund aventurës së tij te Rubin Kazani dhe pritet të prezantohet së shpejti si futbollist i Spartak Moskës. Megjithatë, lëvizja e tij nuk është pritur mirë nga një pjesë e tifozëve të klubit rus.

Në një deklaratë të publikuar në kanalin e tyre në Telegram, e cila u raportua të hënën nga mediumi rus Sport-Express, “Crazy North” shprehu kundërshtimin e plotë ndaj afrimit të sulmuesit kosovar.

“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj transferimit të mundshëm të Mirlind Dakut në klubin tonë. Bazuar në të kaluarën e shqiptarit, parashikojmë një sërë problemesh brenda një ekipi që aktualisht është i aftë të përballet me sfida serioze. Pavarësisht bojkotit të ndeshjeve të ekipit të parë, ne mbështesim popullin vëllazëror të Serbisë. Pavarësisht se sa i mirë mund të jetë një transferim potencial sipas standardeve të kampionatit, parimet duhet të kenë përparësi mbi rezultatet hipotetike. Daku nuk duhet të jetë në ekipin tonë”, thuhet në deklaratë.

Sipas raportimeve, Sport-Express nuk e publikoi të plotë deklaratën. Në versionin e plotë, të shpërndarë nga vetë grupi në Telegram, përdoret edhe një gjuhë më e ashpër, ku thuhet:

“Qëndrimi ynë ndaj ustashëve dhe veçanërisht ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve mbetet i pandryshuar, nuk ka pasur kurrë dhe nuk duhet të ketë kurrë lojtarë të tillë në ekipin tonë.”

“Crazy North” nuk konsiderohet grupimi më i madh i tifozëve të Spartakut, por njihet si një nga grupet më radikale në tribunën veriore të klubit.

Tifozët ultras të Spartak Moskës prej vitesh njihen për qëndrimet e tyre të forta pro-serbe dhe për lidhjet e ngushta me tifozët e Cërvena Zvezdës, grupin “Delije”.

Pavarësisht reagimeve të tifozëve, Daku vjen pas paraqitjeve shumë të mira me Rubin Kazanin dhe mbetet një nga sulmuesit më të spikatur në kampionatin rus. Megjithatë, zgjedhja e tij për të vazhduar karrierën në Rusi ka nxitur debate edhe më herët në opinionin sportiv shqiptar.

D.L

Exit mobile version