-Një rritje e madhe e numrit të pacientëve me COVID-19 po e çon në kufijtë e kapacitetit sistemin e kujdesit shëndetësor të Rumanisë, duke nxitur diskutime nëse kufizimet pandemike do të shtrëngohen, për t’i dhënë fund situatës apokaliptike.
Mjekja Victoria Arama, në Bukuresht, e përshkroi situatën si “apokaliptike”.
“Pacientët me COVID-19 po shtyheshin me njëri-tjetrin në korridoret e spitalit, ndërsa luftonin për pajisjet e oksigjenit”, u citua ajo në mediet lokale, transmeton ATSH.
Në nivel kombëtar, në kujdesin intensiv ka 1 799 pacientë me koronavirus, disa në korridoret e spitaleve, kontejnerët e transportit, tenda dhe ambulanca, sepse ka vetëm 1 668 shtretër në kujdes intensiv.
Rumania tashmë ka dërguar 30 pacientë të sëmurë rëndë në Hungarinë fqinje.
Vetëm 34,8 për qind e rumunëve janë vaksinuar plotësisht, një shifër që është ndër më të ultat në 27 vendet anëtare të BE-së.
Në 24 orët e fundit, në Rumani kanë vdekur më shumë persona nga COVID-19, sesa në të gjithë Bashkimin Evropian në të njëjtën periudhë: 574 viktima.
Shkalla e vdekshmërisë, prej 19,01 për një milion banorë, ishte sot më e larta në botë, sipas projektit Our Ëorld in Data.
Mesatarja lëvizëse 14-ditore prej 859 infeksionesh të reja në ditë është, gjithashtu, ndër më të lartat në Bashkimin Evropian.
Presidenti Klaus Iohannis do të takohet me drejtuesit e qeverisë për të vendosur se çfarë veprimesh duhen ndërmarrë për të kontrolluar shpërthimin.