Trajneri Pep Guardiola do të mungojë në ndeshjen e radhës së Manchester City-t në raundin e tretë të FA Cup kundër Swindon, për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Kampioni anglez Manchester City tani ka 14 pjesëtarë të stafit dhe shtatë lojtarë të ekipit të parë në vet-izolim për shkak të virusit Covid-19.
Guardiola riktheu një test pozitiv këtë të marte, së bashku me asistentin e tij Juanma Lillo, ku tani të dy janë në vet-izolim, së bashku me një numër të konsiderueshëm të lojtarëve të ekipit të parë, e ka konfirmuar klubi i Manchester City-t.
Mësohet se në ndeshjen e radhës kundër Swindon, asistenti i Guardiolas Rodolfo Borrel do të jetë në krye të skuadrës.
Në konferencën për media, Borrell foli rreth situatës momentale në klub, ku edhe nuk bëri të ditur emrat e lojtarëve të cilët kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
“Guardiola është mirë. Ai e ka kontraktuar virusin por fatmirësisht ai nuk ka shumë simptoma”, tha Borrell për gjendjen e Guardiolas.