Një nga çështjet më të diskutuara gjatë periudhës së pandemisë, ka qenë imuniteti natyror që krijohet në bazë të anti-trupave. Epidemiologu Ilir Alimehmeti përmes një statusi në Facebook, ka ndarë me njerëzit atë që ai e quan lajm të mirë.
Sipas studimeve të kryera së fundmi, individët të cilët e kanë kaluar njëherë Covid-19, janë të mbrojtur nga ri-infektimi deri në 12 muaj pas fillimit të simptomave.
“Imuniteti natyror i evoluar në qindra mijëra apo miliona vite funksionon mjaft mirë, pavarësisht kritikave mediatike dhe pseudoshkencore ndaj tij. Sa më shumë kalon koha nga shfaqja e SARS-CoV-2 në popullatë, aq më të gjata në kohë bëhen studimet mbi imunitetin natyror te personat që e kanë kaluar infeksionin. Rishtazi, një studim i kryer në Ishujt Faroe (territor autonom i Mbretësisë së Danimarkës) ndoqi në nivel të popullatës të gjithë personat që e kaluan COVID-19 gjatë valës së parë dhe të dytë.
Gjetja kryesore? Përgjigja natyrore e anti-trupave të Covid-19 zgjat deri në 12 muaj.
Ngjashmërisht me studime të tjera ata gjejnë se nivelet e antitrupave IgG bien goxha gjatë 7 muajve të parë. Pas 7 muajve, antitrupat vazhdojnë bien, por ritmi i rënies ngadalësohet duke qëndruar relativisht të qëndrueshëm në periudhën 7 deri 12-mujore pas infektimit.”- shkruan mjeku.
Ndër të tjera ai shtoi se në studimet e kryera, niveli i antitrupave nuk shfaqi ndryshime ndërmjet burrave dhe grave në ecurinë kohore.
“Rezultatet tona tregojnë se individët që e kanë kaluar Covid-19 kanë mundësi të jenë të mbrojtur nga reinfektimi deri në 12 muaj pas fillimit të simptomave dhe ndoshta edhe më gjatë.”-përfundon ai.