UBT News

COVID-19 – Efektet anësore të dozës përforcuese të ngjashme me ato të së dytës

Efektet anësore të vëna re pas një doze përforcuese të vaksinave antiCOVID të Pfizer dhe Moderna janë gjerësisht të ngjashme me ato të përjetuara pas dozës së dytë, sipas një studimi të lëshuar sot nga zyrtarët amerikanë të shëndetësisë.

Këto të dhëna u mblodhën nga disa mijëra njerëz, që morën një dozë të tretë midis mesit të gushtit dhe mesit të shtatorit, kur ajo u autorizua për disa persona me imunitet të dobësuar.

“Studimi tregon se dozat përforcuese, aktualisht, tolerohen mirë”, tha Rochelle Ëalensky, kreu i Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), në një konferencë për shtyp.

“Frekuenca dhe lloji i efekteve anësore ishin të ngjashme me ato të vërejtura pas dozave të dyta të vaksinave dhe ishin kryesisht të buta ose të moderuara, si edhe me kohëzgjatje të shkurtër”, shtoi ajo.

Që nga 19 shtatori, më shumë se dy milionë persona kanë marrë tashmë një dozë përforcuese në SHBA, sipas CDC.

Të dhënat e publikuara bazohen në rreth 20 000 persona të regjistruar në një aplikacion (v-safe) dhe që kanë plotësuar një pyetësor pas injektimit të dozës.

Midis atyre që plotësuan këtë pyetësor, pas secilës prej tri dozave, afërsisht 79 për qind raportuan një reagim të lokalizuar pas injektimit të tretë (dhimbje në vendin e shpimit, etj.) dhe 74 për qind një reagim sistemik, domethënë, që ndikon në të gjithë trupin (lodhje …).

Pas injektimit të dozës së dytë, këta numra ishin përkatësisht 78 për qind dhe 77 për qind, pra shumë të ngjashëm.

Rreth 28 për qind thanë se nuk ishin në gjendje të kryenin aktivitetet e tyre të zakonshme ditore pas dozës së tretë, shumicën e kohës ditën pas injektimit./ATSH-AFP/

Exit mobile version