UBT News

Coutinho shpreson në sukses te Barcelona me Xavin

Ylli brazilian, Philippe Coutinho, shpreson që Xavi do të korrë sukses me grupin momental të lojtarëve te Barcelona.

Xavi u prezantua si trajneri i ri i Barçës këtë të hëne, duke u rikthyer te klubi i tij tek i cili ka fituar 25 trofe përgjatë 17 vitesh karrierë.

Ish-mesfushori i “Blaugranëve” tani është zëvendësuesi permanent i Ronald Koeman, ku ky i fundit u shkarkua pas humbjes së gjigandit katalunas kundër Rayo Vallecanos më 27 tetor.

Pas emërimit të Xavit në stolin e trajnerit, Coutinho tani beson se ai do të jetë njeriu kryesor që do të rikthejë suksesin te Barcelona, pas largimeve të Lionel Messit e Antoine Griezmann.

“Xavi ishte një lojtar i madh, një ikonë, dhe tani ai është rikthyer në shtëpi te Barcelona. Shpresoj shumë që ai të jetë shumë i suksesshëm me grupin momental që e kemi”, tha Coutinho.

“Kam pasur mundësinë që të flas me të kur kisha vizita mjekësore në Katar. E di se çfarë personi i madh është. Sigurisht që ai do të bëjë punë të madhe te Barcelona”, shtoi ylli brazilian.

Para se Xavi të emërohej në krye të Barcelonës, kjo e fundit kishte vënë në stolin e trajnerit përkohësisht Sergi Barjuan, me të cilin regjistroi një fitore dhe dy barazime, dhe momentalisht gjendet në pozitën e nëntë në La Liga, ku pas 12 ndeshjeve ka arkëtuar gjithsej 17 pikë.

Exit mobile version