UBT News

Countdown-i i “Fest 64” ka nisur, festivali që elektrizon fundvitin

Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar rikthehet këtë vit me edicionin e tij të 64-të, që do të mbahet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.

Gjatë katër netëve, publiku do të përjetojë festën më të madhe të muzikës së lehtë shqiptare, ku 28 artistë do të ngjiten në skenë me krijimet e tyre dhe do të konkurrojnë për çmimet kryesore.

Ndërsa numërimi mbrapsht ka nisur, përgatitjet po zhvillohen me ritme të shpejta. Prej disa ditësh, artistët së bashku me Orkestrën Simfonike të RTSH-së janë në prova intensive.

Në Sallën e Orkestrës Simfonike, këngëtarët bashkëpunojnë ngushtë me dirigjentët dhe muzikantët për të përshtatur çdo detaj muzikor, duke ndërtuar interpretimin live që do të prezantohet në skenë.

Sipas organizatorëve, Festivali i Këngës 64 është gati të ofrojë performanca të plota skenike, emocione të forta dhe një atmosferë që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e publikut.

Edicioni i 64-të vjen sërish si një nga ngjarjet më të rëndësishme të fundvitit, ndërsa vëmendja tashmë është e përqendruar te nata e parë, aty ku muzika do të nisë të shkruajë kapitullin e radhës në historinë e saj në RTSH. /A.Z/UBT News/

 

 

Exit mobile version