UBT News

​Costa: Shqipëria ka bërë progres në rrugëtimin drejt BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është deklaruar nga Brukseli së bashku me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Deklarimi ndodhi para fillimit të takimit, për çka u tha se Shqipëria do të hap grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Rama tha se janë të përkushtuar që të përmbushin detyrat e kalendarit për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027.

“Me presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces edhe pastaj për Samitin e ardhshëm të Komitetit Politik Evropian, i cili është një aktivitet shumë me rëndësi por ka një rëndësi të posaçme në këtë moment dhe sigurisht do të flasim edhe për rajonin, ndaj të cilit presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Kështu që ka shumë për të diskutuar por në përgjithësi jam shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027-tës”, deklaroi ai.

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa tha se Shqipëria ka bërë progres në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

“Zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për Bashkimin Evropian dhe është investimi më i rëndësishëm gjeo-strategjik për paqen, begatinë dhe për stabilitetin e kontinentit tonë. Është vërtetë inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim. Sot po çelim një grup kapitull tjetër dhe ambicia është që të çelim edhe më tej grup kapituj për t’u negociuar gjatë këtij viti sepse kemi një kalendar shumë konkret dhe duam që të realizojmë dhe kjo është shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, shumë e rëndësishme për Shqipërinë por mendoj që kjo është po kështu një shenjë shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin sepse mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është me Bashkimin Evropian, anëtarësimi në të”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të marrë pjesë në konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku e pranishme do të jetë edhe komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.

Exit mobile version