UBT News

Çokollata e zezë ulë rrezikun nga diabeti i tipit 2

Një studim që është bërë së fundmi ka zbuluar se konsumimi i rregullt i çokollatës së zezë, mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për t’u prekur nga sëmundja e diabetit të tipit 2.

Hulumtuesit kanë gjetur se personat që konsumojnë porcion prej 28.3 gramë çokollatë të zezë, të paktën pesë herë në javë kanë 21% më pak rrezik për të zhvilluar diabet të tipit 2, krahasuar me ata që konsumojnë shumë rrallë ose aspak çokollatë të zezë, ka shkruar The Guardian.

Ky rezultat u gjet në studimin që përfshiu 111,654 persona dhe është theksuar se çokollata e zezë mund të ketë përfitime shëndetësore për shkak të përmbajtjes më të lartë të kakaos dhe niveleve më të ulëta të sheqerit në krahasim me çokollatën me qumësht.

Megjithatë, lidhja mes konsumit të çokollatës dhe rrezikut për diabetin mbetet e diskutueshme, pasi hulumtuesit kanë theksuar se shumica e studimeve të mëparshme nuk kanë dalluar llojet e ndryshme të çokollatës.

Studimi ka treguar se konsumimi i tepërt i çokollatës me qumësht çon në shtim në peshë, që është faktor rreziku për diabetin e tipit 2.

“Konsumimi i çokollatës së zezë është shoqëruar me ulje të rrezikut për diabetin e tipit 2, ndërsa çokollata me qumësht mund të shkaktojë shtim në peshë”, kanë deklaruar hulumtuesit.

Ky studim, i botuar në revistën shkencore “BMJ”, përdori të dhëna nga tri studime afatgjata që përfshinin infermierë dhe punonjës shëndetësorë në SHBA. Hulumtuesit kanë deklaruar se po kërkojnë më shumë prova për të konfirmuar këto rezultate, duke pasur parasysh që numri i të prekurve me diabet të tipit 2 vazhdon të rritet. /UBT News/

 

Exit mobile version