Çmimet për udhëtimet ndërkombëtare pritet të rriten këtë vit për shkak të rritjes së kërkesës së madhe dhe numrit më të vogël të aeroplanëve, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë Booking, Glenn Fogel.
Ai ka thënë për BBC-në se çmimet për pushime “veçse kanë nisur të rriten”.
Shumë kompani ajrore kanë zvogëluar në masë të madhe numrin e fluturimeve që kryejnë, për shkak të kufizimeve në udhëtim nga pandemia.
Pavarësisht kërkesës së madhe, paqartësitë vazhdojnë t’ua vështirësojnë planifikimin kompanive, ashtu që të rrisin numrin e fluturimeve, ka thënë ai.
“Ka kërkesë të madhe. Secili dëshiron të udhëtojë, mirëpo të gjithë ne duam që këtë ta bëjmë në mënyrë të sigurt”, ka thënë Fogel.
John Grant, analist i aviacionit është pajtuar se kjo gjë do të ketë ndikim të konsiderueshëm në udhëtime, ndërkohë që kufizimet hiqen.
“Alegoritmat e kompanive ajrore do ta vërejnë rritjen e kërkesës dhe çmimet do të rriten në përputhje me kërkesën”.
Mungesa e qartësisë rreth asaj se si do ta njohin qeveritë vaksinimin dhe statusin e testimit nga shtetet tjera, është duke shqetësuar industrinë e udhëtimit, e cila është dëmtuar rëndë nga pandemia e koronavirusit.