Pionierët e vaksinave kundër COVID-19 apo gjenetistët kryesorë, kundërshtarët bjellorusë apo liria e shtypit, një romancier joperëndimor: Çmimet Nobel 2021 do të fillojnë të jepen nga e hëna, padyshim, nën vulën e pakundërshtueshme të pandemisë.
Të dhëna prej 120 vjetësh, shpërblimet në mjekësi, fizikë, kimi, letërsi dhe paqe, të dëshiruara nga shpikësi suedez Alfred Nobel, si edhe çmimi më i fundit në ekonomi, janë shpallur në Stokholm dhe Oslo.
Slogani: T’i jepet përparësi atyre që kanë kontribuar më shumë “në përfitimet e njerëzimit”, transmeton ATSH.
Hungarezja Katalin Kariko dhe amerikani Drew Weissman konsiderohen nobelistë, pasi kanë hapur rrugën për vaksinat mARN nga Pfizer dhe Moderna, tashmë të injektuara në më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën, për t’i mbrojtur ata nga COVID-19.
“Do të ishte një gabim i komitetit Nobel të mos i jepte çmimin vaksinës mARN këtë vit”, vlerëson Ulrika Björkstén, kreu i shërbimit shkencor të radios publike suedeze.
Akademia e Shkencave, ndonjëherë e kritikuar për tendencën e saj për të kurorëzuar zbulimet shumë të vjetra, gjithashtu mund të kurorëzojë përfundimisht, pas gati 90 vjetësh, ekspertët e limfociteve Max Cooper dhe Jacques Miller.
Kërkimet për kancerin e gjirit (Mary-Claire King dhe Dennis Slamon) ose fusha të tilla si rezistenca ndaj antibiotikëve ose epigjenetika, përmenden gjithashtu në çmimet.
Organizatat, që mbrojnë lirinë e shtypit, siç janë Reporterët pa Kufij dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju Jork, po kthehen edhe një herë këtë vit si fitues të mundshëm.
Disidentja bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya, vetëm ose me bashkatdhetaret e saj, Maria Kolesnikova dhe Veronika Tsepkalo, gjithashtu ka gradën “e preferuar”, vetëm nëse, midis 329 kandidatëve në garë, komiteti Nobel zgjedh kauzën e klimës, me shembullin e ri suedez, Greta Thunberg.
“Ky është problemi më i rëndësishëm për momentin”, tha historiani Nobel, Asle Sveen.