Viti i Ri është një ngjarje që festohet në shumë kultura dhe shtete të ndryshme, dhe shënon kalimin nga një vit në tjetrin sipas kalendarit Gregorian, më 31 dhjetor. Festa zakonisht shoqërohet me aktivitete të ndryshme si fishekzjarre, mbrëmje festive, ahengje, dhe tradita të tjera që variojnë nga një vend në tjetrin.
Festa e Vitit të Ri është gjithashtu një mundësi për t’u takuar me miqtë dhe familjen, për të bërë plane dhe qëllime për vitin që vjen. Njerëzit me raste bëjnë “rezoluta” për të përmirësuar jetën e tyre gjatë vitit të ardhshëm, si p.sh. të përmirësojnë shëndetin, të mësojnë diçka të re, apo të arrijnë qëllime personale dhe profesionale.
Kjo festë është një mundësi për të reflektuar mbi vitin që kaloi dhe për të shprehur dëshira të mira për të ardhmen. Tavolina e Vitit të Ri është një element i rëndësishëm në festimet e fundvitit, sidomos për darkën e natës së Vitit të Ri. Ajo është e mbushur me ushqime të veçanta dhe dekore festive, duke krijuar një atmosferë gëzimi dhe ngrohtësie për të pritur vitin e ri me familjen dhe miqtë.
Por, nëse flasim për shpenzimet që i merr e gjithë përgatitja, sigurisht që shifrat që variojnë janë nga më të ndryshmet.
UBT News ka realizuar një intervistë me Prof. Ass. Dr. Medin Zeqiri, pjesë e stafit akademik në UBT, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe Inxhinierisë së Agrikulturës dhe Mjedisit.
Familjet kosovare për festa hargjojnë nga 400-1000€ dhe produktet më të konsumuara janë: mish pule, mish gjedhi, fruta më së shumti ato të sezonit si mandarinat, kivi, mollë, perime sallata të ndryshme, pije alkoolike dhe jo-alkoolike, lëngje, ëmbëlsira, kafe etj.
A janë produktet festive që ofrohen në markete, sidomos ato të importuara, të cilësisë së duhur dhe a përputhen me standardet e sigurisë ushqimore?
Produktet ushqimore festive që vijnë nga importi i vendeve të Bashkimit Europian janë cilësore dhe në përputhje me standardet ushqimore, ndërsa ato që vijnë nga rajoni ballkanik jo të gjitha janë cilësore dhe në përputhje me këto standarde të BE-së.
Sa e përballojnë familjet kosovare rritjen e çmimeve të ushqimeve festive në periudhën e festave dhe si ndikon kjo në buxhetin e tyre?
Çmimet e ushqimeve i përballojnë me vështirësi dhe shumica e familjeve janë të diskriminuara në ushqim për disa lloje si: Mishi dhe produktet e mishit të gjedhit, në fruta dhe perime, si dhe lëngje. Kjo ndodh për shkak të buxhetit të ulët, ku familjet orientohen në ushqime me më pak vlerë ushqimore nutritive, shpeshherë edhe të klasëve më të ulta ushqimore. Kurse, buxheti i tyre familjar rëndohet aq shumë sa një pjesë e tyre marrin hua ose edhe mini-kredi bankare për të kaluar këto festa, dhe duhen 4-5 muaj derisa arrijnë të stabilizohen në aspektin financiar.
Çfarë lloj produktesh vendase dhe të importuara preferojnë familjet kosovare për tavolinën e festave të fundvitit dhe si vlerësohet cilësia e këtyre produkteve?
Nga produktet vendase preferojnë më shumë: nga mishi, atë të shpezëve, sidomos mishin e pulës, kofshët e pulës, mishin e gjedhit, mishin e peshkut, mishin e therur, djathin, perimet, frutat si: mollë, dardhë, pije freskuese, lëngje, pije alkoolike, verë etj. Nga ushqimet e importuara dominojnë frutat si: portokalli, mandarina dhe bananja, verëra të ndryshme, pije alkoolike etj. Cilësia e këtyre produkteve vlerësohet e kënaqshme.
Si ndikojnë periudhat e shitjeve speciale, si Black Friday, në çmimet e ushqimeve festive dhe si ndikohet ky fenomen në vendimet e konsumatorëve kosovarë?
Black Friday kohëve të fundit në ushqime nuk ka dhënë ndonjë efekt të madh, sepse çmimet e produkteve ushqimore jo vetëm që nuk kanë shënuar rënie, por përkundrazi janë rritur.
Për sa kohë marketet e Kosovës mbajnë produktet me afat skadence dhe si ndikon kjo në besimin e konsumatorëve ndaj produkteve festive?
Shumica e marketeve në Kosovë nuk mbajnë ushqime me afat të skaduar, por në raste të vogla, këtë lloj ushqimi e hasim më shumë në markete të vogla dhe shitore të vogla.
Cilat janë çmimet mesatare për disa produkte të zakonshme festive (mish, pije alkoolike, ëmbëlsira, fruta) në marketet e Kosovës, dhe si ndryshojnë ato nga një market në tjetrin?
Çmimet mesatare për disa produkte të zakonshme festive në marketet e Kosovës janë si më poshtë: mish viçi varion nga 12-15 €/kg, mish i gjedhit nga kategoritë e tjera dhe atyre të moshuara varion nga 8-10 €/kg, mish i thatë është nga 18-25 €/kg, ndërsa mish i bardhë është 5-6 €/kg. Pijet alkoolike kanë çmime nga 5-20 €/litër, ndërsa vera varion nga 5-25 €/litër. Çmimi i ëmbëlsirave është nga 6-35 €, ndërsa për frutat, çmimet variojnë nga 0.50-6 €/kg, filluar nga molla dhe deri te kivi dhe avokado që arrijnë deri në 8 €/kg.
Si e vlerësoni bashkëpunimin mes institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e cilësisë së ushqimeve festive në treg?
Bashkëpunimin mes institucioneve përgjegjëse e vlerësojmë jo të mjaftueshëm dhe kjo për shkak të numrit të vogël të inspektorëve ushqimor.
Cilat janë shqetësimet kryesore të konsumatorëve kosovarë lidhur me cilësinë dhe çmimin e ushqimeve festive që ofrohen në treg?
Shqetësimet e konsumatorëve nga Kosova janë më të larta te çmimi se sa te cilësia kjo shpesh i bënë ata që të jenë të paqasshëm në disa ushqime.
Për këtë temë opinionin e tij e dha edhe Zyrtari për Informim nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi i cili u shpreh se të gjitha produktet ushqimore që vendosen në treg për qarkullim dhe janë të destinuara për konsum duhet të plotësojnë kriteret ligjore për siguri. Ushqimi i sigurt nuk ka alternativë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë punon në të gjithë zinxhirin ushqimore, qe produktet finale të cilat dalin ne treg dhe blihen për konsum të jenë të shëndetshme (sigurta).
“Gjatë kohës se festave rritet qarkullimi i produkteve, në proporcion me ketë shtojmë frekuencën e kontrolleve si autoritet, gjithmonë brenda kapacitetit të inspektorëve qe kemi ne dispozicion. Kur bëhet fjalë për festa të fund vitit, operatoret e biznesit krijojnë produkte qe tregtohen në formë dhurate, ku brenda tyre janë të vendosura njësi të produkteve të ndryshme”, përfundoi ai.
Nga Agjencia e Ushqimit apelohet që konsumatori të ketë kujdes, pas hapjes të shoh datat e skadencës të secilës njësi, apo secilit produkt qe gjendet brenda dhuratës. Konsumatorët e dinë se ne secilin rast qe hasin dyshime rreth sigurisë se produkteve ushqimore të njoftojnë autoritetin kompetent në ketë rast AUV-në.
“Të festojmë sigurt duke ruajtur shëndetin e qytetarëve”, përfundon Lamir Thaçi.
Nuk ka kuptim të mbarohet kjo temë pa e pyetur një qytetare që përballet pothuajse çdo ditë me çmimet e shtrenjta nëpër marketet vendore.
“Kam qenë këto ditë në disa markete, bashkë me listën e ushqimeve që do të më duhen, sepse kam mysafir për Vitin e Ri. U shokova. Çmimet janë ngritur shumë dhe nuk e di se si do t’ia dalim, sepse kjo është e tepërt. As me 500 euro nuk kompletohemi,” tregon shqetësimin e saj një amvise, e cila shton se: “Nëse deri më parë ka qenë mundësia të kompletohej harxhi me 200-250 euro, kjo gjë tani po e kalon shifrën 500, që do të thotë se është dyfishuar.”
Zonja mendon se tavolina e Vitit të Ri nuk shtrohet nën 500 euro, dhe madje shpreson që në të ardhmen shteti të ketë mirëkuptim, sidomos për ata që nuk kanë pagë mesatare të lartë apo që kanë vetëm një punonjës në familje.
Përfundimisht, festa e Vitit të Ri është një periudhë gëzimi dhe reflektimi, por edhe një mundësi për të rishikuar prioritetet dhe qëllimet personale. Përkundër sfidave ekonomike dhe ngritjes së çmimeve, shumë familje kosovare vazhdojnë të ruajnë traditat e festave, duke u përpjekur të balancojnë shpenzimet me dëshirën për të ofruar një atmosferë të ngrohtë dhe festive për ata që duan.
Si gjithmonë, rëndësia e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve mbetet e pazëvendësueshme për një festë të sigurt dhe të shëndetshme. /UBTNews/