UBT News

City konfirmon transferimin e yllit argjentinas

Kampioni anglez, Manchester City, e ka konfirmuar sot transferimin e sulmuesit Julian Alvarez nga skuadra e River Plate.

Julian Alvarez do të bashkohet me ekipin e parë të Cityt këtë fundjavë, për përgatitjet përpara sezonit të ri 2022/23.

Alvarez, 22 vjeç, iu bashkua Cityt në afatin kalimtar të janarit dhe nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me klubin, por qëndroi në River Plate deri në fund të sezonit të kaluar në formë huazimi.

Ndeshja e tij e fundit për River Plate ishte në eliminatoret e Copa Libertadores kundër Velez Sarsfield. Ndeshja përfundoi 0:0 ku Velez vazhdoi tutje me rezultat të përgjithshëm 1:0.

Duke folur para ardhjes së tij te City, Alvarez tha:

Jam tejet i lumtur dhe ndihem gati të luaj për Cityn. Kjo është, pa dyshim, një nga skuadrat më të mëdha në futbollin botëror. Ju vetëm duhet të shihni se çfarë ka fituar ky ekip në dekadën e fundit për të kuptuar cilësinë e tyre. City ka një histori të mrekullueshme të kohëve të fundit të lojtarëve argjentinas dhe unë dua të vendos vulën time në klub në të njëjtën mënyrë si Sergio Aguero, Pablo Zabaleta dhe Carlos Tevez. Jam shumë mirënjohës për gjithçka që River Plate bëri për mua dhe dua të falënderoj tifozët, stafin dhe lojtarët për mbështetjen e tyre”.

Në total, Alvarez shënoi 53 gola dhe regjistroi 31 asistime në 120 paraqitje në River Plate.

Alvarez do të veshë fanellën me numrin 19 për Cityn përpara sezonit të ri.

City e ka konfirmuar gjithashtu se Alvarez do të zbulohet këtë të diele së bashku me nënshkrimet e reja Erling Haaland, Kalvin Phillips dhe Stefan Ortega Moreno.

Exit mobile version