Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka quajtur korruptiv pushtetin aktual, derisa përmendi skandalet me rezervat shtetërore, kontratat njëburimore, mos deklarimin e pasurisë e keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Çitaku potencoi se në këtë mandat, qeveria aktuale më shumë ka pasur aktakuza ndaj zyrtarëve të saj sesa punë të kryera siç thotë ajo për të mirën e qytetarëve.
Ndërkaq, arrestimin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, e ka quajtur “maja e Ajsbergut”, që sipas saj i ka rrënjët thellë tek eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, i cili sot po i ngjason një mafie energjetike.
“Dje Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur edhe zyrtarisht aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krasniqi tashmë mbi dyshimin e bazuar dhe hetuar mirë, akuzohet se nga data 15 tetor 2021, vetëm 10 ditë pasi u emërua kryeshef nga Lëvizja Vetëvendosje, e deri me datën 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare ka kryer hiç më pak se tri vepra penale keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit…Arrestimi i Krasniqit është maja e një Ajsbergu, i cili ia ka rrënjët thellë tek eksponentë të rëndësishëm të këtij pushteti, i cili sot po i ngjason një mafie energjetike”, tha Çitaku.
Ajo tha se PDK-ja kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj skandaleve të cilat kërkojnë përgjigje duke përfshirë atë me energjinë elektrike, rezervat shtetërore, mos deklarimet e pasurisë dhe kontratat njëburimore.
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar llogaridhënie nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë skandal.
Çitaku, në një konferencë për media, tha se PDK i jep mbështetjen e plotë organeve të drejtësisë, të cilat kanë marrë përsipër zbulimin e keqpërdorimeve milionëshe në këto tri vitet e fundit në fushën e energjisë.
“Megjithatë, ndaj këtij pushteti i cili ka pasur më shumë aktakuza ndaj zyrtarëve të vet, sesa punë mund të numërohen në të mirën e qytetarëve, keqpërdorimet nuk përfundojnë këtu. Gjykata Themelore në Prishtinë, dje ka konfirmuar aktakuzën për mos raportim të pasurisë ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Si mund ta quajmë ndryshe një pushtet përveçse korruptiv, për të cilin nuk kalon as edhe një muaj panjë skandal të madh të keqpërdorimit të detyrës zyrtare…Partia Demokratike e Kosovës kërkon llogaridhënie dhe përgjegjësi të plotë nga të gjithë akterët e përfshirë jo vetëm në këto skandale, por në të gjitha skandalet të cilat ende kërkojnë përgjigje. Energjia, rezervat shtetërore, mos deklarimi i pasurisë, skandalet diplomatike, kontratat një burimore e kështu me radhë. PDK i jep mbështetje të plotë organeve të hetuesisë dhe drejtësisë të cilat kanë marrë përsipër një mision të rëndësishëm të zbulimit të keqpërdorimeve milionëshe në këto vitet e fundit”, theksoi Çitaku.
Përveç këtyre, në konferencë, Çitaku u pyet rreth qëndrimeve të PDK-së lidhur me hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Ajo deklaroi se hapja e Urës mbi lumin Ibër duhet të bëhet në koordinim me aleatët, ngase sipas saj vetëm kështu mund të korrim suksese dhe fitore.
Çitaku tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet treguar i matur dhe të ketë koordinim me aleatët për hapjen e urës së Ibrit, pasi sipas saj kjo është një betejë e vogël krahasuar me ato që ka kaluar Kosova.
“Në vitin 1999, Kosova në koordinim me aleatët ka larguar çdo ushtar, polic, formë paramilitare e administrative nga territori i Kosovës. Në vitin 2008 përkundër rezistencës së madhe të dy vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, Kosova në koordinim me aleatët ka shpallur pavarësinë…Kosova kur është koordinuar me aleatët ka korrur fitore e suksese shumë më të mëdha sesa hapja e një ure e cila edhe ashtu është e hapur për njerëz, mund të lëvizin, qarkullimi është i mbyllur vetëm për automjetet dhe kjo është një betejë shumë e vogël dhe simbolike të cilën unë jam e bindur, që nëse kryeministri tregohet i matur dhe koordinohet me aleatët do të mund të arrihet shpejtë”,potencoi Çitaku.