Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, në takimin e së hënës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, do ta nënshkruaj Asociacionin.
Përveç Asociacionit, Çitaku tha se të hënën Kurti do ta nënshkruaj edhe marrëveshjen për, siç e quajti ajo, armëpushim, e jo marrëveshjen finale me njohje reciproke në qendër.
“Plani franko – gjerman nuk ka pikur nga qielli. Ai është produkt i negocimit të Kryeministrit tash e dy vite. Kryeministri Kurti ka arritur suksesshëm që dialogun Kosovë – Serbi nga marrëveshja politike ta kthejë në problem të sigurisë”.
“Të hënën Kryeministri Kurti do të nënshkruaj zotimin e tij për të vazhduar dialogun edhe për një dekadë”, është shprehur Çitaku, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se të hënën, Kurti do ta nënshkruaj edhe zotimin për t’i dhënë Kishës Ortodokse Serbe status politik./klankosova.tv