Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi, Lulzim Halili duke thënë se misionet diplomatike duhet të jenë më të angazhuara për lirimin e ish-ushtarëve të UÇK-së nga autoritetet serbe.
Çitaku u shpreh se liria e lëvizjes duhet të jetë e garantuar, teksa kërkoi aktivizimin e misioneve diplomatike.
“Sigurisht që ne i ndjekim, e kemi parë dhe është lajm jashtëzakonisht shqetësues. Fatkeqësisht kjo tashmë është shndërruar në lajm të rregullt, sepse nuk është rasti i parë ka edhe ushtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen tash e disa muaj nëpër burgjet e Serbisë. Qeveria e Republikës së Kosovës, kjo në largim duhet të jetë shumë më aktive. Misionet tona diplomatike duhet të jenë shumë më të angazhuara në mënyrë që të vihen në funksion mekanizmat ndërkombëtarë për lirimin e tyre. Ata nuk janë njerëz pa atdhe, nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe, si njerëz pa institucione, si njerëz për fatin e të cilëve nuk brengoset askush”, tha ajo për media.
Kritika pati për Ministrinë e Punëve të Jashtme, për çka Çitaku tha se në vend se të merret me beteja të vogla të brendshme, duhet të jenë në funksion të qytetarëve.
Sipas Novosti-it, ish-luftëtarit të UÇK-së iu caktua masa e ndalimit prej 48 orëve nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës. /Telegrafi