UBT News

CIA, “Sindroma e Havanës” nuk është fushatë nga shtete të huaja

CIA thotë se diplomatët amerikanë, që u prekën nga dhimbje të forta, të pashpjegueshme koke, nga ajo që është quajtur “sindroma e Havanës”, nuk ishin vënë në shënjestër nga ndonjë shtet i huaj, sipas njoftimeve të shtypit amerikan.

Njoftimi i referohet një numri zyrtarësh me njohuri mbi një raport të fundit të CIA-s mbi këto simptoma, që u shfaqën për herë të parë në vitin 2016 në Kubë, ku diplomatë amerikanë dhe kanadezë, u ankuan për dhimbje të fuqishme koke dhe ndoshta edhe dëmtim në tru, pas dëgjimit të tingujve me ton të lartë.

Më pas, edhe diplomatë të tjerë dhe zyrtarë të shërbimeve të zbulimit, në vende të tjera, si Australi, Austri, Kinë, Kolumbi, Gjermani dhe Rusi, janë ankuar për të njetat simptoma.

Raporti i CIA-s nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes së një shteti të huaj në rreth 20 raste, që kanë mbetur ende pa shpjegim dhe janë duke u hetuar.

Por në qindra raste të tjera, që mund të kenë patur simptoma të njejta, CIA thotë se ka gjetur arsye të tjera për shkakun e simptomave.

Disa zyrtarë në të kaluarën kanë spekulluar se shkaku i incidenteve mund të kishte qënë një sulm me mikrovalë nga Rusia, por shkencëtarët kanë shprehur dyshime rreth kësaj teorie.

CIA thekson se raporti përmban gjetje paraprake dhe nuk është përfundimtar.

Disa prej diplomatëve të prekur kanë shprehur pakënaqësi me raportin dhe thonë se vlerësimi i CIA-s nuk mund të jetë fjala përfundimtare në këtë çështje.

Drejtori i CIA-s, William Burns, citohet të ketë thënë se “ndërsa raporti ka arritur në disa përfundime domethënëse, ne nuk kemi përfunduar së hetuari”.

Exit mobile version