UBT News

Christian Mba për herë të dytë fiton çmimin “Ylli i Javës”

Çmimi i më të mirit në javën e gjashtë në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Trepça’89, Christian Mba.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Bujar Asllani nga KFV Ferizaj, Isuf Llumnica nga KFV Kosova (P) dhe Edmon Cana nga KFV Rahoveci.

Për sulmuesin Mba kjo është hera e dytë që e fiton çmimin e ‘Yllit të Javës’ në këtë edicion, pasi të njëjtin e kishte fituar edhe në javën e parë.

Komisioni vlerësoi se Mba ishte protagonisti kryesor në fitoren që Trepça’89 e arriti si mysafire në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj kundër Drenicës, me rezultat 5:2.

Christian Mba përveç se shënoi dy gola (28’, 90’) asistoi edhe në golat e shënuar nga Bleon Sekiraqa (24’) dhe Erdin Dushi (52’).

Pas vlerësimit për herë të dytë me çmimin “Ylli i Javës”, Christian Mba ka thënë se ndihet i lumtur për ecurinë e mirë të tërë ekipit.

Është një fillim i mrekullueshëm për mua dhe për skuadrën time. Jam këtu për të dhënë më të mirën time. Ky çmim nuk e pasqyron vetëm lojën time, por edhe punën ekipore të bashkëlojtarëve të mi dhe të shtabit teknik. Ne më të vërtetë po e bëjmë më të mirën me punë. Do të punojmë me përkushtim që të jemi në pjesën e epërme të renditjes dhe pse jo ta rikthejmë trofeun e kampionit në Mitrovicë dhe ta bëjmë të lumtur secilin qytetar të Mitrovicës”, ka theksuar Mba.

Exit mobile version