Seria e fitoreve të Chelseat nën drejtimin e Thomas Tuchelit ka vazhduar edhe më tutje.
“Blutë e Londrës” të enjten mbrëma fituan me rezultatin 1:0 ndaj Barnsleyt dhe janë kualifikuar në çerekfinale të Kupës FA.
Skuadra që bën gara në rangun e dytë të futbollit anglez, Barnsley, ishte më e mirë në pjesën e parë.
Chelsea, që bëri 10 ndryshime në formacion, kaloi në epërsi nëpërmjet Tammy Abrahamit në minutën e 64-të, pas asistimit të Reece Jamesit.
Chelsea mbetet i pamposhtur në pesë ndeshje qëkur Tucheli e mori drejtimin e skuadrës në janar. Në çerekfinale, në raundin e gjashtë të garës, Chelsea do të luajë kundër Sheffield Unitedit më 20 ose 21 mars.