Chelsea është duke u përgatitur për t’i hapur bisedimet e rinovimit të kontratës me Mason Mount dhe janë të gatshëm ta bëjnë atë ndër më të paguarit në klub pas sezonit 2020/21 ku ai u shpall si lojtari më i mirë i viti, raporton “Goal”.
22-vjeçari aktualisht është një nga lojtarët e ekipit të parë që foton më së paku me rreth 75,000 funte në javë. Atij i kanë mbetur pak më shumë se dy vjet e gjysmë në marrëveshjen e tij aktuale me “Blutë” e Londrës, përcjellë KosovaPress.
Në fakt, ende nuk ka pasur një ofertë zyrtare për kontratë të re për mesfushorin, për shkak se Chelsea së pari ka punuar në marrëveshje të reja me mbrojtësit Antonio Rudiger, Andreas Christensen dhe Trevoh Chalobah.
Mount e do Chelsean dhe do të ishte i lumtur të rinovonte, por ai gjithashtu e kupton se meriton të vlerësohet njëjtë me të tjerët si Kai Havertz dhe Timo Werner.
Brenda dhomës së zhveshjes, Mount është quajtur “djali yll” nga kolegët e tij profesionistë të cilët kanë parë shfaqjet dhe shkallën e punës së tij në fushë.
Krahas fitimit të çmimit të “Lojtari i Vitit” te Chelsea, që u votua nga tifozët e klubit, ai gjithashtu fitoi çmimin e Akademisë së Premier Ligës për sezonin 2020-21.
Mount është vlerësuar shumë lartë nga trajneri Thomas Tuchel për punën e tij në skuadër, sidomos për bashkëpunimin me sulmuesin Romelu Lukaku.
Nuk dihet ende se cila do të jetë kohëzgjatja e kontratës së re dhe përfitimet nga ajo marrëveshje, por e sigurt është që Mount do të ketë një rritje të dukshme të pagës së tij me klubin nga Londra.