Ekipi anglez, Chelsea, thuhet se është në panik për shkak se nuk do t’i lejohet të përfundojnë këtë sezon për shkak të sanksioneve të vendosura nga qeveria britanike drejt biznesmenit rus Roman Abramowich. Pasi që i është ndaluar që të bëjë profit nga shitjet e fanellave dhe biletave, Chelsea pësoi edhe një goditje tjetër, ku sponsori i fanellave “Three” suspendoi kontratën me klubin.
Po ashtu, tani raportohet se edhe brendi “Nike” është duke konsideruar që të shkëpusë marrëveshjen 15-vjeçare me Chelsean, kontratë kjo me vlerë afro 900 milionë euro që ishte nënshkruar në vitin 2016.
Kjo do të nënkuptonte që “Blutë” e Londrës të humbasin 540 milionë euro nga kjo marrëveshje.
Bordi i klubit ka mbajtur dje bisedime me Qeverinë e Britanisë së Madhe, dhe janë duke u frikësuar që ata nuk do të kenë mundësi që të përfundojnë këtë sezon.