Mauricio Pochettino tani edhe zyrtarisht do të ndajë rrugët me Chelsea-n. Drejtuesit e klubit dhe vetë trajneri argjentinas patën një takim para disa ditësh, ku të dy palët ranë dakord për të ndërprerë marrëveshjen e cila ishte planifikuar të zgjaste së paku deri në verën e vitit 2025, me mundësi vazhdimi edhe për një vit.
Një gjë të tillë për largimin e teknikut 52-vjeçar e ka konfirmuar edhe vetë skuadra e Chelseat, duke shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e tij sa ishte në krye të detyrës.
“Në emër të të gjithëve te Chelsea, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për Mauricion dhe punën e tij këtë sezon. Ai do të jetë i mirëpritur të kthehet në Stamford Bridge në çdo kohë dhe ne i urojmë të gjitha më të mirat në karrierën e tij si trajner”, thuhet në deklaratën e klubit.
Pochettino mori drejtimin e skuadrës londineze verën e kaluar dhe krahas një fillimi zhgënjyes, Chelsea përfundoi në vendin e gjashtë të tabelës në Premier League.
Një gjë e cila vlen të ceket është se nga xhiro e 24-të në Premier League, ku Chelsea përballej me Crystal Palace, ata ka humbur vetëm një nga 15 ndeshjet e luajtura (ndaj Arsenalit me rezultat 5-0). Por kjo nuk mjaftoi për drejtuesit e klubit dhe tani Pochettino bëhet trajneri i gjashtë në pesë vitet e fundit që shkarkohet nga “blutë”.
Por kush do të jetë trajneri i ardhshëm i Chelseat?
Sipas mediave angleze bëhet e ditur se kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Pochettino-n te Chelsea janë Sebastian Hoeneß (VfB Stuttgart), Michel (Girona), Kieran McKenna (Ipswich Town), i cili gjithashtu është i lidhur me Brighton dhe Enzo Maresca (Leicester City), por deri në këto momente nuk ka asgjë konkrete./UBTNews/