Chelsea nuk arriti të sigurojë një vend në garat evropiane për sezonin 2026/27, por stadiumi i saj, “Stamford Bridge”, mund të jetë sërish skenë e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve.
Skuadra londineze e mbylli sezonin 2025/26 të Premier League në vendin e 10-të, duke mbetur jashtë Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës. Arsenali, Manchester City, Manchester United, Aston Villa dhe Liverpooli siguruan pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, ndërsa Bournemouthi dhe Sunderlandi u kualifikuan në Ligën e Evropës. Brightoni, që e përfundoi sezonin në pozitën e tetë, do të luajë në fazën kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Megjithatë, sipas raportimit të The Standard, “Stamford Bridge” është një nga stadiumet që po shqyrtohen nga Shakhtar Donetsku për zhvillimin e ndeshjeve si vendas në Ligën e Kampionëve. UEFA vazhdon të mos lejojë organizimin e takimeve evropiane në Ukrainë për shkak të situatës së sigurisë të krijuar nga lufta, duke e detyruar klubin ukrainas të gjejë një stadium jashtë vendit.
Një zëdhënës i Shakhtarit ka konfirmuar se klubi është në negociata me disa stadiume në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.
“Shakhtari aktualisht është në negociata me disa stadiume në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani për të siguruar një stadium ku do të zhvillojë ndeshjet e Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm. Nuk do të komentojmë më tej derisa të merret një vendim,” ka deklaruar ai.
Përveç “Stamford Bridge”, në listën e opsioneve janë edhe “Gtech Community Stadium” i Brentfordit dhe “Craven Cottage” i Fulhamit.
Shakhtar Donetsku, kampion i Ukrainës për herë të 16-të dhe i drejtuar nga ish-futbollisti i Atletico Madridit dhe Barcelonës, Arda Turan, do ta nisë aventurën në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve më 8 shtator. Sezonin e kaluar, skuadra ukrainase ndeshjet si vendase në këtë garë i zhvilloi në “Veltins Arena” në Gelsenkirchen të Gjermanisë.
D.L
