Violinisti i njohur ndërkombëtarisht, Giuseppe Gibboni, fitues i çmimit Paganini, performoi mbrëmjen e së enjtes në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke përdorur violinën e tij të vitit 1734, një Stradivari të rrallë.
Gibboni magjepsi publikun duke interpretuar krijime të Rimskij Korsakov, Paganini, Rachmaninov dhe Stravinskij, duke ofruar një eksperiencë të paharrueshme muzikore në skenën e TKOB.
Ky koncert në Tiranë erdhi pak pas pjesëmarrjes së tij në dy koncerte me Orkestrën Filarmonike të Teatrit “La Scala” të Milanos.
Në kryeqytet, ai interpretoi nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike të TKOBAP-së, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, të udhëhequr nga dirigjenti i njohur Sergio Alapont.
Giuseppe Gibboni konsiderohet një nga violinistët më të jashtëzakonshëm të brezit të tij, i njohur për teknikën brilante, ndjeshmërinë interpretuese dhe pjekurinë artistike, karakteristika të rralla për moshën e tij. /A.Z/UBT News/