Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se i ka humbur ana e zjarrtë për lojën e futbollit për shkak të mungesës së tifozëve dhe emocionit që ofrojnë ata me brohoritjet e tyre në stadiumin Fadil Vokrri.
Kosova e Challandes i zhvilloi tri ndeshje në Prishtinë në vitin 2020, por trajneri zviceran u detyrua t’i udhëheqë verdhekaltrit në stadiumin e zbrazët Fadil Vokrri, për shkak të pandemisë së koronavirusit, raporton Gazeta Express.
Hera e fundit kur dardanët luajtën para tifozëve në Prishtinë ishte në nëntor të vitit 2019, në humbjen 4:0 kundër Anglisë.
Kosova tani duhet të përgatitet për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, të cilat nisin në mars, dhe ka gjasa që nuk do të mundë të llogarisë në lojtarin e 12-të, tifozët dardanë.
Kosova do të luajë në Grupin B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, katër kombëtare, tri prej të cilave s’e kanë njohur pavarësinë e saj.
Derisa në shumicën e ligave evropiane futbolli po vijon të luhet nën masa të rrepta dhe pa praninë e tifozëve, në Premierligë kanë filluar të kthehen tifozët në stadiume në numër të kufizuar.
Challandes shpreson se deri në mars, gjendja shëndetësore në botë nuk do të përkeqësohet dhe se Kosova do të mundë të luajë para tifozëve të vet.
I pyetur për ndeshjet kualifikuese në një intervistë me gazetën zvicerane Le Temps, Challandes tha: “Po, do t’i zhvillojmë ndeshjet, nëse gjendja shëndetësore nuk përkeqësohet edhe më tej. Por nuk e di se si do të jetë humori.”
Ai shtoi: “Nëse luan në Prishtinë dhe 13 mijë njerëz brohorasin për ty, të cilët e përjetojnë ndeshjen si aheng, dhe mijëra të tjerë janë përreth stadiumit, atëherë është emocion i mahnitshëm. Nëse nuk ka tifozë, atëherë nuk është ngjarja e njëjtë, nuk është sporti i njëjtë. Sot, unë e bëj punën sa më mirë që mundem, por nuk e kam më anën e zjarrtë”.