Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka publikuar listën e lojtarëve të cilët do të jenë pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës, në tri ndeshjet e ardhshme, në gjysmëfinalen e “Play-off’it” ndaj Maqedonisë, si dhe dy të tjera në Ligën e Kombeve.
Në këtë listë janë të ftuar lojtarët kyç, që e kanë bartur fanellën e Kosovës këto vite të fundit, sa Kosova ishte në kampanjën për kualifikim për në Evropianin 2020 (tani 2021), lojtarët si: Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Arbër Zeneli, e Valon Berisha. Lajm tjetër është rikthimi i Edon Zhegrovës në grumbullim me Kosovën, pasi edhe ka gjetur ekipin e ri, Baselin.
Mirëpo në këtë listë ka edhe mungesa të lojtarëve që ishin pjesë e grupit të lojtarëve të ftuar herën e kaluar. Milot Rashica do të mungojë në këto ndeshje si shkak i një lëndimi që kishte pësuar në ndeshjen ndaj Bullgarisë, kurse Bernard Berisha do të mungojë si pasojë e veprimeve të tij të fundit në humbjen e Kosovës ndaj Greqisë. Samir Ujkani do të jetë lojtari tjetër që nuk do të jetë në dispozicion të Bernard Challandes.
Kosova ndeshjen jetike e ka ndaj Maqedonisë së Veriut, ku me 8 tetor do të luaj në Shkup, në kuadër të gjysmëfinales së play off-it. Kampanjën e saj Kosova do ta vazhdojë më 11 tetor ndaj Sllovenisë, në “Fadil Vokrri”, ndërsa më 14 tetor do të udhëtojë drejt Greqisë, ndeshje këto në kuadër të Ligës së Kombeve./UBTNews