Në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e konsumatorit në lidhje me jetëgjatësinë ose sigurinë e konsumit të një produkti ushqimor, AgroWeb.org synon të japë më shumë informacion në lidhje me nënkuptimin e datave të shtypura në paketimet ushqimore.
Për këtë artikull, AgroWeb.org u konsultua me përfaqësues të një prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në vend, EcoMarket mbi të vërtetat dhe legjendat e përhapura në lidhje me datat e skadencave.
Nëse shikoni në frigoriferin ose tek raftet ushqimore të shtëpisë, do të vini re se shumë produkte kanë të printuar përveç datës së skadencës, edhe datën e paketimit, madje edhe datën e afatit të shitjes.
Natyrshëm lind dilema; nëse produktin e keni hapur pasi ka përfunduar data e afatit të shitjes, a duhet ta konsumoni apo ta hidhni tutje?
Studimet thonë se mbi 91 përqind e konsumatorëve vendosin për hedhjen në kosh të ushqimeve, bazuar në datën e paketimit.
Sigurisht askush nuk kërkon të helmohet nga ushqimi, por edhe të hedhë ushqime në kosh nuk është një gjë e mirë.
Çfarë nënkupton data?
Ligjet ndërkombëtare nuk detyrojnë kompanitë e prodhimit të vendosin data në paketimet e tyre. Në shumë raste, vetë kompanitë vendosin këto data vullnetarisht. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që data tregon nëse një artikull është i prishur apo thartuar.
Disa data informojnë shitësit mbi afatin optimal të freskisë dhe shijes së produktit.
Ndryshimet në emërtime:
Data e afatit të shitjes tregon për sa kohë një produkt duhet të qëndrojë në raftet e dyqanit. Edhe nëse kalojnë ditë pas këtij kufiri, nëse produktet ruhen në kushte të mira, ato janë sërish të sigurta për konsum.
Emërtimi “Është mirë të përdoret deri në” vjen direkt i printuar nga prodhuesit ushqimorë.
Ky emërtim tregon se produkti ruan freskinë dhe shijen deri në datën e caktuar, por ju mund ta konsumoni edhe pas kësaj date. Pra, kjo datë nuk ka të bëjë me sigurinë ushqimore.
Emërtimi “Duhet përdorur deri në” vjen direkt nga prodhuesit ushqimore dhe nënkupton datën e fundit që konsumatori mund të marrë cilësinë maksimale nga ushqimi.
Pas kësaj date, shija dhe cilësia e ushqimit mund të përkeqësohen, por ushqimi është sërish i ngrënshëm.
Data e skadencës është data e vetme e etiketës së ushqimit që ka të bëjë me të vërtetë me sigurinë ushqimore.
Nëse keni blerë një produkt pas datës së skadencës, hidheni menjëherë.
Kohëzgjatja e cilësisë së disa produkteve bazë
Jeni akoma konfuzë apo të shqetësuar? AgroWeb.org ju rekomandon rregullat e mëposhtme për të qenë të sigurt.
Qumështi mund të konsumohet dy ose tre ditë pasi ka kaluar data e përdorimit. Ruajeni në zonat më të thella të frigoriferit ku temperaturat janë zakonisht më të ftohta.
Gjalpi qëndron i freskët nga dy ditë deri në tre javë pas blerjes.
Margarina zgjat nga katër deri në gjashtë javë pas blerjes.
Vezët janë të sigurta për konsum për 3 deri në 4 javë pas blerjes.
Në lidhje me këto produkte, përfaqësues të EcoMarket sugjerojnë që të ruhen në zonat më të thella të frigoriferit ku temperaturat janë të ftohta dhe mos i mbani në zonën e derës së tij.
Pula, shpendët dhe mishi i grirë mund të qëndrojnë të freskëta nga një deri në dy ditë pas blerjes.
Shpendët e paragatuar mund të konsumohen nga tre deri në 4 ditë.
Peshqit mbesin të freskët nga deri në 3-4 ditë pas blerjes, përderisa ruhen në frigorifer.
Mishi i konservuar mund të konsumohet deri në tre javë pas blerjes përsa kohë nuk është i hapur. Pas hapjes mund ta ruani deri në katër ditë.
Makaronat zgjasin nga një deri në dy vjet pas blerjes.
Perimet dhe frutat e konservuara zgjasin shumë. Por nëse janë të ekspozuara ndaj ngricave apo temperaturave të larta ky rregull nuk vlen. Tregoni kujdes me konservat e dëmtuara.
Duhet të dini që nëse ruani diçka në ngrirje, atëherë produkti do të mund të konsumohet, ndonëse freskia dhe shija mund të zbehen me kalimin e kohës./AgroWeb.org