UBT News

Çfarë do të thotë shuplaka e Will Smith për të – dhe ne?

Pothuajse katër dekada më parë ndodhi “një zënkë e vogël” që e shtyu “Fresh Prince” në telashe dhe ndikoi që Will-i imagjinar të jetonte në Bel Air me familjarë të tjerë. Kështu nisi karriera e adoleshentit si komedian dhe aktor, por tani përplasja e vërtetë që ndodhi mund t’ia prishë karrierën këtij superylli të padiskutueshëm të Hollivudit.

Gjatë ceremonisë Oscar, prezantuesi Chris Rock bëri shaka me flokët e Jada Pinkett Smith, gruas së aktorit, e cila qe disa herë ka treguar se vuan nga rënia e flokëve si pasojë e një çrregullimi që njihet si Alopecia. Pas kësaj shakaje, Will Smith e goditi prezantuesin me shuplakë që bëri bujë në të gjithë botën.

Por shakaja pa takt, reagimi i dhunshëm i Smith dhe fakti që ceremonia vazhdoi pa pasoja, ndezi gjithashtu debat të furishëm rreth asaj se çfarë do të thotë “të mbrosh gratë” dhe rehatinë e dukshme të kulturës amerikane me dhunë, shkruan BBC.

Energjia ka ndryshuar

Në përpjekje për ta shtensionuar situatën, komediani Amy Schumer tha se energjia ka ndryshuar dhe se Rock nuk ishte i vetmi që u ndikua nga ajo ngjarje.

Disa bënë shaka duke thënë se Smith filloi të vepronte seriozisht dhe duket se po portretizonte personazhin e Mike Lowrey nga filmi “Bad Boys”. Por të tjerët thanë se sulmi ishte alarmant.

Në një postim të fshirë nga Twitteri, regjisori Judd Apatow tha se Smith “mund ta kishte vrarë” Chris Rock-un dhe se Smith “e ka humbur kontrollin”. Madje u bënë edhe thirrje që aktori të arrestohet dhe të akuzohet për sulm.

Por aktorja Tiffany Haddish i dha mbështetje aktorit Will Smith. Ajo deklaroi: “Dhe për mua ishte gjithçka. Mbase botës mund të mos i pëlqej, por për mua ishte gjëja më e bukur që kam parë sepse më shtyu të besoj se ende ka burra që duan dhe kujdesen për gratë e tyre, bashkëshortet e tyre”.

Shumë amerikanë me ngjyrë vunë në dukje ironinë në faktin se Chris Rock prodhoi dokumentarin “Good Hair” rreth rëndësisë së flokëve në kulturën e njerëzve me ngjyrë, vetëm për të bërë shaka me modelin e zgjedhur të Pinkett Smith. Pinkett Smith është një nga shumë femrat që kohët e fundit kanë folur publikisht rreth luftës së tyre me alopecinë, një çrregullim që shkakton rënien e flokëve dhe prek shumë femra me ngjyrë.

“Arti imiton jetën”

Derisa po e pranonte çmimin e parë Oscar për rolin e Richard Williams në filmin “King Richard”, gjatë asaj mbrëmje, Smith mes lotëve i kërkoi falje Akademisë për sulmin. Edhe pse fillimisht ai nuk deshi t’i kërkonte falje Rock-ut.

“Në këtë jetë, unë jam thirrur t’i dua dhe t’i mbrojë njerëzit. Arti imiton jetën”, deklaroi mes tjerash ai.

Çmimin ai ia dedikoi nënës së tij dhe u shpreh se ky moment ishte vërtet i komplikuar për të.

“Jetojmë në një kohë dhune”

Psikologu Jacqui Lewis, e cila ka lexuar librin e Smith, por nuk e ka trajtuar personalisht aktorin, tha se do të dëshironte që Smith të gjente një mënyrë tjetër për ta mbrojtur familjen e tij.

“Ai nuk dëshiron të jetë personi që e godet dikë me shuplakë ashtu si babai i tij, por megjithatë kjo është ajo që ndodhi mbrëmë”, deklaroi ajo.

Sherri mes Smith dhe Rock depërtoi në shtresën e përsosmërisë që ekziston shpesh rreth të famshëmve, por Lewis tha që ne duhet ta përdorim atë si një moment për ta hetuar se sa është normalizuar dhuna në kulturën tonë.

“Ne jetojmë në një kohë dhune: diskursi verbal, fizik, emocional, territorial, politik dhe humor i dhunshëm. Edhe Chris Rock ishte i dhunshëm. E gjithë kjo është e lidhur dhe a mund të habitemi aq sa duhet nga kjo sa të habitemi nga të gjitha mënyrat se si ndodh kudo?”, deklaroi ajo.

“A duam që dhuna të jetë përgjigje e dhunës? Unë jo”, deklaroi ajo tutje.

“Helmuese dhe shkatërruese”

Në një postim të gjatë në Instagram të hënën mbrëma, Smith kërkoi falje për sjelljen që ai e përshkroi si “të papranueshme dhe të pafalshme”, duke thënë: “Unë jam duke bërë progres”./UBTNews/

Exit mobile version