Certifikata Europiane Covid, që do të hyjë në fuqi nga 1 korriku, pritet të lehtësojë udhëtimet brenda Bashkimit Europian, pavarësisht nga pandemia, por si do të funksionojë?
“Certifikata Dixhitale Europiane Covid”, emri zyrtar i kësaj karte shëndetësore, do të njihet dhe lexohet në të gjithë BE-në dhe pa pagesë.
Ajo vërteton që një person është vaksinuar kundër COVID-19, ose që ka një test negativ të shpejtë PCR ose antigjeni, ose që është imun pasi ka kaluar sëmundjen.
Vlefshmëria e testeve nuk është e harmonizuar, u takon Shteteve Anëtare të vendosin (aktualisht ndryshon nga 24 në 72 orë para mbërritjes).
Shteteve Anëtare u kërkohet të pranojnë në tokën e tyre udhëtarët e vaksinuar me katër vaksinat e autorizuara në nivelin europian: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.
Ato mund, por nuk janë të detyruara, gjithashtu të pranojnë të vaksinuar me vaksina të autorizuar në disa vende të BE-së (të tilla si Sputnik), ose të miratuara nga OBSH (si Sinopharm).
Certifikata ka një kod QR që përmban një nënshkrim elektronik, që vërteton vërtetësinë e tij, që mund të lexohet nga të gjitha vendet e BE-së.
Varet nga Shtetet Anëtare të vendosin nëse duan ta integrojnë këtë certifikatë në aplikacionin e tyre kombëtar të gjurmimit ose nëse përdorin një aplikacion të veçantë.
Legjislacioni parashikon që certifikata duhet të përmbajë vetëm të dhëna personale “të domosdoshme”, në përputhje me rregulloret europiane (GDPR).
Këto të dhëna nuk shkëmbehen midis vendeve, vetëm çelësi që lejon verifikimin e vërtetësisë së certifikatës që duhet të transmetohet.
Në parim, certifikata e përjashton mbajtësin e saj nga karantina, megjithatë parashikohen përjashtime, nëse situata në vendin ose rajonin e origjinës së udhëtarit përkeqësohet.
Në këtë rast, vendi i destinacionit duhet të njoftojë Shtetet e tjera Anëtare dhe Komisionin 48 orë përpara për futjen e kufizimeve të reja dhe për kohëzgjatjen e tyre.
Ndryshe nga të rriturit, shumica e fëmijëve ose adoleshentëve nuk do të kenë qasje në vaksinimin deri në këtë verë dhe mund të kërkohet që të testohen për të udhëtuar.
Rregulloret europiane kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë, por Shtetet Anëtare mund të vendosin ta përdorin këtë certifikatë për qëllime të tjera (koncerte, festivale, etj.) brenda kornizës së ligjit të tyre kombëtar.
Sistemi i Certifikatës Covid do të zbatohet në 30 vende (27 Shtetet Anëtare të BE, plus Islandën, Norvegjinë dhe Lihtenshtajnin).
Në lidhje me udhëtarët e vendeve të treta, BE është në bisedime me disa prej tyre, përfshirë Zvicrën, BM dhe SHBA, por gjithashtu me organizata ndërkombëtare, si OBSH dhe shoqatat e transportit ajror për njohjen reciproke dhe ndërveprimin e sistemeve të vendosura në vend.