Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka mbajtur konferencën përmbyllëse ku ka bërë një përmbledhje të projekteve të realizuara gjatë këtij viti si dhe projektet për vitin 2022.
Ai ka potencuar fillimisht punët dhe intervenimet që janë bërë në trashëgiminë kulturore ku ka thënë se gjatë këtij viti janë identifikuar mbi 200 monumente kulturore që janë në rrezik, janë bërë 13 ndërhyrje tashmë të përfunduara, 18 janë në proces dhe 16 të tjera pritet të nisin së shpejti dhe kjo punë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022.
“Për vitin 2022 kemi planifikuar mbi 50 ndërhyrje të tjera emergjente në monumente me synimin që në vitin 2023 të mos e kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit. Ndërsa paralelisht në të gjithë vendim po vazhdojmë më restaurimin e monumenteve, ndër ato që po restaurohen janë Muzeu Etnologjik në Prishtinë, Kulla e Sulejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e parë në Prizren, Hani i Haraçisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Pejë, Shtëpia e Xhafer Dedës në Mitrovicë, disa monumente brenda qendrës historike të Prizrenit. […] Për vitin 2022 kemi planifikuar buxhet prej 5.4 milionë eurosh për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga të cilat 1 milion për ndërhyrje emergjente”, theksoi Çeku.
Çeku gjithashtu bëri të ditur se shumë shpejtë do të bëhen ndërhyrjet e para në ndërtesat e kompleksit memorial “Adem Jashari”, derisa shtoi se vitin e ardhshëm do të shpallet konkursi ndërkombëtar për masterplanin për këtë kompleks.
Sa i përket sportit, i pari i MKRS-së theksoi se janë përfunduar disa projekte kapitale gjatë këtij viti dhe se janë në plan një numër i madh i projekteve të reja gjatë vitit 2022.
Çeku u shpreh se mbështetja për federata sportive si dhe për klubet e sportistët do të jetë edhe më e madhe. Sipas tij, gjatë vitit 2021 për klubet dhe federata janë ofruar si mbështetje mbi 6.35 milionë euro.
Sa i përket problematikës për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan, Çeku bëri të ditur se në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, janë duke punuar intensivisht që operatori të kryejë sa më parë punimet dhe janë në gatishmëri për të kryer të gjitha obligimet ndaj këtij operatori nëse punët përfundohen me një dinamikë më të shpejtë.
Ndërsa rreth ndërtimit të stadiumit kombëtar të futbollit, Çeku tha se janë duke biseduar me shumë faktorë relevantë për të marr një vendim se a duhet të shkohet në këtë aventurë për të ndërtuar një stadium që kushton shumë, apo me ato para të investohet në konsolidimin e infrastrukturës ekzistuese.