Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka deklaruar se nuk do të kandidojë për president të FIFA-s, por njëkohësisht ka paralajmëruar kreun e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Gianni Infantino, se duhet të japë dorëheqje ose të përballet me një kandidat në zgjedhjet e marsit.
Infantino është vënë nën presion të shtuar pas planit për shitjen e aksioneve te investitorët privatë. Edhe pse ky plan ka dështuar, UEFA vazhdon të kërkojë largimin e tij nga drejtimi i FIFA-s. Ndërkohë, tri konfederata e kanë akuzuar Infantinon për mashtrim, ndërsa UEFA ka kërcënuar edhe me bojkotimin e garave të FIFA-s.
“Një mundësi është që ai të kuptojë se nuk ka mbështetje. Dhe kjo nuk është vetëm mbështetje politike e atyre që votojnë, por edhe mbështetja e komunitetit të futbollit, tifozëve, lojtarëve, ish-lojtarëve dhe trajnerëve”, ka thënë Çeferin në një podkast britanik, raportoi të hënën AP.
“Dhe mundësia e dytë është që ai të shkojë në zgjedhje në mars. Por, në atë rast, mendoj se do të ketë një kandidat kundër tij. Nuk e di ende se kush”, shtoi ai.
Infantino është në krye të FIFA-s që nga viti 2016 dhe deri në paraqitjen e planit për shitjen e aksioneve shihej si favorit për t’u rizgjedhur pa kundërshtar në vitin e ardhshëm në Marok. FIFA ka caktuar 18 nëntorin si afat për paraqitjen e kandidaturave për president.
Pavarësisht se është përmendur vazhdimisht si një kandidat i mundshëm për ta sfiduar Infantinon, Çeferin ka mohuar çdo interesim për këtë post dhe ka shprehur përkushtimin e tij ndaj UEFA-s.
“Nuk jam i interesuar për dy arsye. E para është se e dua UEFA-n dhe më pëlqen puna këtu. Në një moment të caktuar është koha për ta shijuar pak jetën. Arsyeja e dytë është se kredibiliteti im është shumë më i madh nëse nuk jam i interesuar për pozitën”, u shpreh Çeferin.
58-vjeçari slloven tha gjithashtu se propozimi për shitjen e aksioneve të Botërorit përbënte një kërcënim edhe më të madh për futbollin sesa projekti i Superligës Evropiane, të cilin UEFA e kundërshtoi me sukses në vitin 2021.
Sipas Çeferinit, kundërshtimi ndaj këtij propozimi nuk vjen vetëm nga vendet e mëdha evropiane.
“Nga njëra anë ishin Anglia dhe Gjermania, të cilat nuk e duan këtë, sepse këto para nuk janë aq të mëdha për to. Por, nga ana tjetër, ishin San Marino, Qiproja dhe Lihtenshtajni, që thanë: ‘Nuk jemi në shitje’”, ka deklaruar ai.
D.L
