Nga Leslie Finlay
Amerika është një vend me një popullsi shumë të stresuar. Sipas Institutit Amerikan të Stresit, edhe para pandemisë 94 për qind e punonjësve, thanë se ndiheshin rregullisht të stresuar. Dhe së fundmi, Shoqata Psikologjike Amerikane raportoi se stresi kolektiv i vendit ka arritur nivele alarmante.
Të gjithë prekemi ndonjëherë nga një gjendje e tillë, por ndjenja e vazhdueshme dhe kronike e shqetësimit dhe e mbingarkesës psikologjike, mund të çojë në një ezaurim nervor, gjë që mund të ketë pasoja të rënda. “Zakonisht, ezaurimi nervor përkufizohet si një gjendje ekstreme e tendosjes psikologjike” thotë Jaung Ah Park, profesor i asociuar në Shkollën e Punës dhe Marrëdhënieve të Punësimit në Universitetin e Ilinoisit.
Ajo është një përgjigje ndaj përballjes me faktorë të stresit që janë kronikë, zgjasin në kohë, dhe që shtrihen përtej aftësive tuaja ose burimeve të disponueshme për t’i kapërcyer. Për shkak se shumë nga ne ndihen shpesh të stresuar, mund të jetë e vështirë të dallohet se kur është kapërcyer kufiri maksimal.
Ezaurimi nervor i vërtetë ndryshon nga ndjenja e mbi-stresit. Majkëll Leiter, profesor i psikologjisë në Universitetin Akadia në Nova Scotia, shpjegon ”Ezaurimi nervor kombinon tre dimensione kryesore:lodhjen e madhe fizike, ndjenjën e cinizmit dhe një ndjenjë dekurajimi”.
Të ndjerit i rraskapitur sapo nis punën është një alarm i kuq. Më pas kjo lloj lodhje evoluon në ndjenja të tilla si pesimizmi dhe tërheqja nga jeta e përditshme “duke u bërë i ndrojtur dhe cinik për punën që dikur e donit, por ndiheni kështu edhe ndaj njerëzve për të cilët supozohet të interesoheni”.
Kjo është faza përfundimtare e ezaurimit nervor, por duhet ende pak kohë për të arritur në atë pikë. “Në fillim, mund të përjetoni një lloj hiperaktiviteti. Prandaj përpiqeni të menaxhoni faktorët e stresit duke punuar furishëm për t’i reduktuar ata” thotë Emili Balsetis, profesoreshë e asociuar e psikologjisë në Universitetin e Nju Jorkut.
Por fatkeqësisht, kjo lloj sjellje mund të kontribuojë në bërjen e gabimeve, humbjen e përqendrimit apo edhe fillimin e ndjenjës së pavarur emocionale. Dhe që të gjitha këto i hapin rrugën zhvillimit të problemeve më kronike. Të jetosh me një nivel stresi të vazhdueshëm, mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë modelet problematike të gjumit, problemet e tretjes, dhe madje një rrezik më të madh për depresion, probleme të zemrës, diabet dhe shtim në peshë thotë Balsetis.
Një studim i botuar në “Journal of Psychosomatic Research”, zbuloi se njerëzit që përjetojnë kronikisht ezaurim nervor janë 35 për qind më të rrezikuar nga vdekja e hershme. Ndaj para se stresi në jetën tuaj të rritet në atë nivel, ekspertët rekomandojnë disa hapa pro–aktivë që mund të ndërmerrni për ta parandaluar atë gjendje:
Kërkoni domethënien e punës që bëni
Ne mund ta tolerojmë më gjatë stresin që përjetojmë, nëse besojmë se po bëjmë diçka të qëllimshme dhe të vlefshme. Balsetis thotë se kemi më shumë gjasa të përjetojmë stres kronik, që çon më pas tek ezaurimi nervor, kur diçka duket jashtë kontrollit tonë, kundër vullnetit tonë, apo kur është tërësisht e pakuptimtë.
Përpiquni të identifikoni mënyrat përmes të cilave edhe detyrat tuaja më të vogla të përditshme kontribuojnë në jetën e të tjerëve. “Bëni një bilanc të asaj që është në pjatën tuaj. Në rast se keni mundësi, shkurtoni ose transferoni një ose dy nga ato gjëra që nuk ju japin personalisht kuptim”-shprehet Balsetis.
Kërkoni kuptim tek gjërat që bëni jashtë punës
Nëse po përpiqeni ta bëni sa më kuptimplotë punën tuaj, shumë e dobishme mund të jetë vendosja e prioriteve të jetës jashtë punës. Hulumtimet e botuara në “BMC Medicine” tregojnë se njerëzit më të prirur të përjetojnë një ndjenjë më të madhe angazhimi kur janë në punë, janë ata që kanë një hobi.
Mundohuni të ndani punën nga familja/jeta e jashtme
Sot kur ka një mjegullim të dukshëm të mes punës dhe kohës së lirë, Park këshillon të çaktivizoni njoftimet e postës elektronike të punës në telefonin tuaj, të përdorni llogari të veçanta të postës elektronike për punën dhe jetën personale, si dhe të vendosni kufij – fizikë dhe kohorë – midis punës dhe jetës personale, sidomos nëse punoni nga shtëpia.
Mos e neglizhoni veten
“Neglizhimi i dietës suaj ushqimore apo konsumimi i ushqimeve të shpejta, mund të bëhet një mënyrë për t’u përballur me stresin, por ai do t’i marrë trupit dhe trurit tuaj ushqyesit e nevojshëm për të pasur energjinë e duhur dhe për të rregulluar humorin” thotë Benxhamin Makson, një terapist familjar në Kaliforni.
Sipas tij aktiviteti fizik është thelbësor për të larguar hormonet e stresit. “Shumë individë janë më pak aktivë kur janë nën stres, dhe preferojnë të pushojnë shtrirë” thotë Makson. Në fakt lëvizja është përgjigja më e natyrshme evolucionare ndaj stresit të trupit tonë. Ndërsa sot nuk keni nevojë t’i largoheni me vrap një luan në mal, edhe një aktivitet i lehtë fizik ndihmon në “dhënien fund” të ciklit të stresit, duke nxjerrë jashtë qarkullimit të gjakut hormonet e stresit.
Kuptojeni në kohë kur stresi ka arritur në nivele alarmante
Flisni me eprorët tuaj kur mendoni se puna juaj duhet të jetë më e menaxhueshme, shpërblyese dhe nën kontrollin tuaj. “Është shumë e zakonshme që eprorët të vazhdojnë të shtojnë detyrat me kalimin e kohës”- thotë Makson, duke shtuar se nëse nuk i komunikojmë nevojat ose kufizimet tona, ato mund të anashkalohen.
Nëse nuk prisni që gjërat të përmirësohen, mendoni të ndryshoni punë apo edhe karrierë.
Për infermieren Uendi Rejnolds, drejtoreshë e një njësie të kujdesit intensiv spitalor (ICU) në Pensilvani, stresi ka qenë një pjesë e përhershme e punës. Më pas erdhi pandemia dhe stresi u rrit në një nivel krejtësisht të ri.
“Nuk flija dot, kisha gjithmonë dhimbje koke, isha gjithnjë në ankth dhe e shqetësuar për gjithçka. E dija se duhej të largohesha prej andej” kujton ajo. Uendi e kuptoi se puna në krye të ICU ishte bërë shumë stresuese. Ajo e zgjidhi problemin e saj të ezaurimit nervor, duke kaluar në një rol administrativ, ku ka mundësi mund të menaxhojë balancën e saj punë-jetë, ndërsa ka ende një karrierë që përputhet me pasionin e saj për kujdesin shëndetësor klinik.
“Më pëlqen puna ime e re. Tani kam mundësi të shoh më shpesh familjen time, dhe mund të përdor aftësitë e mia profesionale për të ndihmuar drejtuesit në spitale të tjera që të përmirësojnë ecurinë e punës për stafin e tyre” thotë ajo. Nëse ndiheni të ezauruar, terapia mund t’ju ndihmojë të menaxhoni stresin e lidhur me punën dhe të mësoni strategjitë e përballimit. Po ashtu, ajo mund t’ju mësojë të komunikoni me punëdhënësin tuaj dhe të vendosni kufij të shëndetshëm. Makson thotë se terapia konjitive e sjelljes është veçanërisht efektive për trajtimin e rasteve të ezaurimit nervor në vendin e punës./bota.al