UBT News

Cassis nga Prishtina vlerëson lart diasporën: Rreth 500 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër, lidhja jonë është e jashtëzakonshme

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera dhe të bazuara në një histori të gjatë e të fuqishme bashkëpunimi.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis theksoi se kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Prishtinë si pjesëtar i Qeverisë zvicerane, ndonëse takimet mes diplomacive të të dyja vendeve kanë qenë të vazhdueshme.

“Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta sepse kemi qenë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar e jetuar”, u shpreh Cassis.Diplomati zviceran vuri theksin te roli i jashtëzakonshëm i diasporës kosovare në Zvicër, duke saktësuar numrin e qytetarëve me prejardhje nga Kosova që jetojnë atje.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose vijnë nga kjo trevë. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë sonë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë edhe heronj të futbollit në vendin tonë”, shtoi ai.

Cassis po ashtu kujtoi vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër në mars të vitit të kaluar, duke e cilësuar atë si një moment me rëndësi të veçantë për thellimin e partneritetit dypalësh. /E.A/

 

Exit mobile version